Secondary Adv

Inflacioni arrin 3.4 për qind në korrik, niveli më i lartë që nga janari 2024

Kostoja e jetesës është rritur më tej gjatë muajit korrik, e ndikuar kryesisht nga shtrenjtimi i ushqimeve, qirave dhe transportit.

Sipas të dhënave të INSTAT, inflacioni arriti në 3.4% nga 3.2% në muajin e mëparshëm, duke shënuar nivelin më të lartë që nga janari i vitit 2024.


Rritja e çmimeve tregon se familjet po përballen me shpenzime më të larta për disa nga produktet dhe shërbimet bazë. Sipas INSTAT, ndikimin kryesor në inflacionin vjetor të korrikut e dha grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike”, me +1.18 pikë përqindjeje, i ndjekur nga grupi “Qira, ujë, energji elektrike, gaz dhe karburante të tjera”, me +0.83 pikë përqindjeje.


Një kontribut të rëndësishëm dha edhe grupi “Transporti”, me +0.52 pikë përqindjeje, ndërsa “Mobilie, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” ndikoi me +0.23 pikë përqindjeje. Grupet “Pije alkoolike dhe duhan” dhe “Restorante dhe shërbime akomodimi” kontribuuan me nga +0.15 pikë përqindjeje secili, ndërsa “Kujdesi personal dhe mallra e shërbime të ndryshme” ndikoi me +0.14 pikë përqindjeje.


Çmimet e grupit “Argëtim, sport dhe kulturë” kontribuuan me +0.12 pikë përqindjeje, ndërsa grupet “Shërbimi arsimor” dhe “Sigurime dhe shërbime financiare” dhanë nga +0.07 pikë përqindjeje secili. Grupi “Shëndeti” ndikoi me +0.06 pikë përqindjeje. Në drejtim të kundërt, çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” ndikuan me -0.07 pikë përqindjeje dhe ato të grupit “Informacioni dhe komunikimi” me -0.03 pikë përqindjeje.


Inflacioni mbi objektivin e Bankës së Shqipërisë

Me nivelin 3.4% të regjistruar në korrik, inflacioni ka qëndruar për dy muaj radhazi mbi objektivin prej 3% të Bankës së Shqipërisë. Në mbledhjen e fundit, Banka Qendrore vendosi ta mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në 2.5%, pavarësisht sinjaleve për rritjen e presioneve inflacioniste.


Guvernatori Gent Sejko deklaroi se Banka e Shqipërisë vijon të vlerësojë se efekti inflacionist i rritjes së çmimeve të naftës do të jetë kalimtar. Në lidhje me rritjen e inflacionit bazë dhe presionet e brendshme inflacioniste, ai theksoi se një ndikim të rëndësishëm po jep shtrenjtimi i qirave.


“Inflacioni i çmimeve të konsumit pritet të qëndrojë lehtësisht mbi objektiv në afatin e shkurtër dhe të kthehet gradualisht drejt tij gjatë tremujorëve në vijim.


Parashikimi i një niveli inflacioni mbi objektiv në afatin e shkurtër faktorizon pritjet tona për vijimin e efekteve indirekte të goditjes së ofertës në tregjet ndërkombëtare, si dhe për një nivel relativisht të lartë të inflacionit të qirave në këtë horizont kohor.


Nga ana tjetër, parashikimi për reduktimin gradual të inflacionit drejt objektivit në afatin e mesëm mbështetet në pritjet tona për një ecuri të balancuar të kërkesës dhe ofertës agregate, për një rritje të kontrolluar të kostove të prodhimit, si dhe pritjet e ankoruara të bizneseve e tregjeve financiare.


Gjithashtu, skenari bazë bazohet në supozimin e një normalizimi të shpejtë të presioneve të ofertës në tregjet ndërkombëtare, si dhe të ruajtjes së kahut konsolidues të politikës fiskale në vitet në vijim”, tha guvernatori.


Burimi: Monitor


Më të lexuarat