Secondary Adv

Kodi Rrugor me rregulla më të ashpra, hiqet përgjithmonë patenta për përsëritësit me alkool

Ndryshimet e reja në Kodin Rrugor, të hyra në fuqi më 7 gusht 2026, ashpërsojnë masat për drejtimin nën ndikimin e alkoolit, përdorimin e telefonit, drejtimin pa patentë dhe manovrat e rrezikshme.

Drejtori i Policisë Rrugore, Perlat Vatoci, bëri të ditur se masat e reja synojnë parandalimin e shkeljeve dhe aksidenteve, si dhe rritjen e sigurisë në rrugë.


Ndryshimet janë miratuar me Ligjin nr. 58/2026 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Kodin Rrugor të Republikës së Shqipërisë”. Një prej masave kryesore prek personat që konstatohen duke drejtuar mjete pa qenë të pajisur me leje drejtimi. Për ta, e drejta për t’u pajisur me patentë shtyhet deri në 1 vit, ndërsa për të miturit periudha e shtyrjes arrin në 2 vjet. Policia Rrugore do të informojë për çdo rast DPSHTRR-në, si institucioni kompetent për lëshimin e lejeve të drejtimit, në mënyrë që personat e konstatuar të regjistrohen në sistem.


Masat bëhen veçanërisht të ashpra për drejtimin e automjetit nën ndikimin e alkoolit. Leja e drejtimit do të hiqet përgjithmonë kur një drejtues rezulton me një vlerë alkoolike më të lartë se 0.5 gram për litër në gjak dhe është konstatuar e ndëshkuar më parë për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit ose në gjendje të dehur. Sipas Vatocit, kjo masë synon të adresojë fenomenin shqetësues të aksidenteve rrugore me pasoja të shkaktuara nga drejtimi nën efektin e alkoolit.


Gjobë deri në 60 mijë lekë për sjelljet e rrezikshme

Kodi i ndryshuar ashpërson edhe masat ndaj sjelljeve të rrezikshme në rrugë dhe mosrregullimit të shpejtësisë në rrugë me fushëpamje të kufizuar. Këtu përfshihen manovrat agresive, ndryshimet e shpeshta të korsisë pa sinjalizim dhe shkeljet që rrezikojnë përdoruesit e tjerë të rrugës, veçanërisht në zonat urbane, pranë shkollave, kryqëzimeve dhe degëzimeve. Masa administrative për këto shkelje është rritur nga 20 mijë deri në 60 mijë lekë.


Sipas Policisë Rrugore, ndryshimet i japin rëndësi të posaçme edhe vendit ku kryhet shkelja dhe përcaktojnë më qartë elementet e saj. Ashpërsimi i sanksionit është konsideruar i nevojshëm për shkak të nivelit të lartë të rrezikut dhe shtimit të ngjarjeve rrugore në zonat urbane.


Telefonat, pezullim patente pas dy shkeljeve brenda vitit

Ndryshimet zgjerojnë ndalimin e përdorimit të telefonit celular gjatë drejtimit edhe për biçikletat, motomjetet deri në 50 cc dhe monopatinat me motor. Për drejtuesit e automjeteve, leja e drejtimit do të pezullohet nëse ndëshkohen dy herë brenda të njëjtit vit për përdorimin e telefonit celular, nga tre shkelje që kërkoheshin përpara hyrjes në fuqi të ligjit të ri. Policia thekson se përdorimi i celularit gjatë drejtimit është një ndër shkaqet kryesore të humbjes së kontrollit të mjetit dhe aksidenteve rrugore.


Masa të posaçme janë parashikuar edhe për drejtuesit e rinj që kanë marrë lejen e drejtimit gjatë 24 muajve të fundit. Për këtë kategori vendosen rregulla më të rrepta për drejtimin nën ndikimin e alkoolit, si dhe kufizime të posaçme të shpejtësisë.


Nuk mund të paguhet më dyfishi i gjobës për të shmangur pezullimin

Një tjetër ndryshim i rëndësishëm është heqja e mundësisë për konvertimin e pezullimit të lejes së drejtimit, të lëshuar nga shteti shqiptar, me pagesën e një shume sa dyfishi i masës administrative maksimale të parashikuar për shkeljen. Deri përpara 7 gushtit, një drejtues që kryente një shkelje për të cilën parashikohej gjobë dhe pezullim patente mund të paguante dyfishin e vlerës maksimale të gjobës për të shmangur pezullimin. Me ndryshimet e reja, kjo mundësi është hequr dhe leja e drejtimit pezullohet automatikisht kur sanksioni plotësues parashikohet nga Kodi Rrugor.


Strukturat e Policisë Rrugore në të gjithë vendin janë njohur me ndryshimet dhe janë udhëzuar për zbatimin e tyre. Policia e Shtetit u ka bërë apel drejtuesve të mos tejkalojnë kufijtë e shpejtësisë, të mos drejtojnë automjete apo motomjete nën efektin e alkoolit, të mos përdorin telefonin gjatë drejtimit dhe të shmangin parakalimet e ndaluara, manovrat e rrezikshme dhe sjelljet agresive.


“Masat ndëshkuese nuk janë qëllimi ynë. Qëllimi ynë është parandalimi i shkeljeve, parandalimi i aksidenteve dhe, mbi të gjitha, mbrojtja e jetës”, deklaroi Vatoci, duke kërkuar përgjegjshmëri nga çdo drejtues mjeti dhe respektim të rregullave të qarkullimit rrugor.


Sipas Policisë Rrugore, siguria në rrugë është përgjegjësi e përbashkët dhe respektimi i rregullave nga çdo përdorues mbetet një nga elementet kryesore për parandalimin e aksidenteve dhe mbrojtjen e jetës.


Burimi: Ballkan Web


Më të lexuarat