Secondary Adv

Euro drejt rënies nën 93 lekë, java nis me forcim të mëtejshëm të monedhës vendase

Leku ka vijuar të forcohet në nisje të javës, duke ushtruar presion mbi monedhat kryesore të huaja.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë për 10 gusht 2026, euro ka zbritur në 93.07 lekë, duke humbur 0.12 lekë vetëm gjatë ditës së sotme dhe duke iu afruar kufirit të 93 lekëve.


Niveli i ri konfirmon tendencën e zhvlerësimit të euros gjatë muajve të fundit. Forcimi i monedhës vendase po ndodh në një periudhë kur prurjet valutore nga turizmi, remitancat dhe hyrjet e kapitalit vijojnë të ushtrojnë presion mbi kursin e këmbimit.


Rënie ka shënuar edhe dollari amerikan, i cili është këmbyer me 80.53 lekë, ose 0.33 lekë më pak se një ditë më parë. Në të njëjtën prirje ka lëvizur franga zvicerane, e cila ka zbritur në 99.67 lekë. Kundrejt lekut janë dobësuar gjithashtu jeni japonez, korona suedeze, korona norvegjeze, korona daneze, juani kinez dhe lira turke.


Përjashtim nga tendenca kanë bërë paundi britanik dhe dollari kanadez. Paundi është forcuar lehtë me 0.07 lekë, duke u kuotuar në 108.72 lekë, ndërsa dollari kanadez është rritur po me 0.07 lekë, duke arritur në 57.76 lekë.


Sezoni turistik shton presionin mbi kursin e këmbimit


Forcimi i lekut po shfaqet me intensitet të lartë në kulmin e sezonit turistik, periudhë gjatë së cilës hyrjet e valutës në ekonominë shqiptare arrijnë ndër nivelet më të larta të vitit. Oferta më e madhe e valutës në treg ushtron presion në rënie mbi euron dhe monedhat e tjera të huaja.


Zhvillimi favorizon importuesit dhe mund të ndikojë në uljen e kostove në lekë të mallrave të importuara. Në anën tjetër, zhvlerësimi i euros vijon të ushtrojë presion mbi eksportuesit, industrinë fason, sektorin e turizmit dhe familjet që sigurojnë të ardhura në monedhën europiane, pasi të ardhurat e tyre të konvertuara në lekë humbasin vlerë.


Burimi: Ekofin


Më të lexuarat