Modernizimi i rrjetit elektrik në zonën e Kasharit, OSSH hap tenderin 64.5 milionë lekë
Drejtoria Rajonale e OSSH Tiranë ka hapur garën për modernizimin e rrjetit elektrik në zonën e Kasharit, përgjatë autostradës Tiranë–Durrës.
Investimi, me fond limit 64 milionë e 483 mijë lekë, parashikon ndërtimin e kolektorëve kabllorë dhe zëvendësimin e kabllove të tensionit të mesëm të fiderave F7 dhe F8 të Nënstacionit Kashar.
Sipas dokumentacionit të publikuar në Agjencinë e Prokurimit Publik, projekti shtrihet në zonën e Kasharit, duke nisur nga Nënstacioni Kashar 110/20 kV, dhe përfshin një sipërfaqe prej 6.54 km². Aktualisht, zona furnizohet me energji elektrike në tension të mesëm nga fiderat ekzistues 20 kV që dalin nga ky nënstacion.
Investimi synon përmirësimin e cilësisë dhe sigurisë së furnizimit me energji elektrike përmes ndërtimit të rrjetit të ri të tensionit të mesëm 20 kV. Në kuadër të punimeve parashikohet spostimi dhe zëvendësimi i kabllove ekzistuese të tensionit të mesëm, si dhe ndërtimi i infrastrukturës së nevojshme kabllore.
Zona e përfshirë në projekt është pjesë e Bashkisë Tiranë dhe karakterizohet nga një ndërthurje ndërmjet ndërtimeve ekzistuese, të zhvilluara kryesisht përpara viteve ’90, dhe ndërtimeve të reja. Abonentët do të vijojnë të furnizohen nga i njëjti sistem elektrik, por përmes fiderave të tensionit të mesëm të përmirësuar pas spostimit dhe zëvendësimit të rrjetit ekzistues.
Rrjeti ekzistues jashtë kushteve teknike
Dokumentacioni i projektit evidenton problematika në cilësinë e furnizimit me energji elektrike në zonë. Rrjeti shpërndarës vlerësohet se është jashtë kushteve teknike, ndër të tjera për shkak të bashkimeve të shumta të realizuara gjatë një periudhe të gjatë përdorimi.
Për këtë arsye, rrjeti ekzistues ka nevojë për spostim dhe zëvendësim, si për shkak të gjendjes së tij teknike, ashtu edhe për ta përshtatur me kushtet dhe normativat përkatëse. Ndërhyrja synon modernizimin e infrastrukturës elektrike dhe krijimin e kushteve më të sigurta për funksionimin e saj.
Me përfundimin e investimit, ndërtimi i rrjetit të ri pritet të përmirësojë cilësinë e energjisë së shpërndarë, të reduktojë numrin e defekteve dhe të rrisë sigurinë në shfrytëzimin e rrjetit elektrik, duke garantuar një furnizim më të qëndrueshëm për abonentët e zonës së Kasharit.