Secondary Adv

Raporti i ILO: Shqipëria e fundit në Ballkan për produktivitetin e punës

Produktiviteti i punës në Shqipëri pësoi rënie vitin e kaluar, duke e renditur vendin në nivelin më të ulët mes vendeve të Ballkanit Perëndimor për të cilat disponohen të dhëna.

Sipas Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO), Prodhimi i Brendshëm Bruto për orë pune zbriti në 18.7 dollarë ndërkombëtarë.


Të dhënat e ILO-s tregojnë se produktiviteti i punës në Shqipëri u tkurr me 4.1 për qind krahasuar me vitin 2024, duke thelluar më tej hendekun me vendet e tjera të rajonit.


Produktiviteti i punës matet zakonisht si raporti ndërmjet vlerës së prodhimit dhe kohës së shpenzuar për ta prodhuar atë. Për krahasimet ndërkombëtare përdoret dollari ndërkombëtar, një njësi monetare hipotetike e bazuar në paritetin e fuqisë blerëse.


Shqipëria pas vendeve të tjera të rajonit

Mes vendeve të Ballkanit Perëndimor për të cilat ILO publikon të dhëna, Shqipëria ka nivelin më të ulët. Bosnjë-Hercegovina regjistron produktivitet prej 26.3 dollarësh për orë pune, Serbia 29.8 dollarë, Mali i Zi 31.1 dollarë dhe Maqedonia e Veriut 34 dollarë. Statistikat e ILO-s nuk japin të dhëna për Kosovën.


Shqipëria renditet gjithashtu poshtë mesatares globale, e cila sipas ILO-s vlerësohet në 23.3 dollarë për orë pune.


Në skajin tjetër të renditjes globale qëndrojnë ekonomi me nivele shumë më të larta produktiviteti. Irlanda regjistron 164.7 dollarë për orë pune, ndërsa Luksemburgu 159.5 dollarë për orë.


Teknologjia dhe kapitali njerëzor përcaktojnë produktivitetin

Ndër faktorët kryesorë që ndikojnë në nivelin e produktivitetit janë investimet në teknologji dhe automatizim, inovacioni, si dhe cilësia e kapitalit njerëzor dhe aftësitë e forcës së punës.


Një rol të rëndësishëm luan gjithashtu struktura e ekonomisë dhe pesha e sektorëve që krijojnë vlerë më të lartë të shtuar për njësi të kohës së punës. Të dhënat e ILO-s tregojnë se, në përgjithësi, ekonomitë që mbështeten te një forcë pune me kosto të ulët kanë edhe nivele më të dobëta të produktivitetit.


Në Shqipëri, kostoja e ulët e krahut të punës dhe informaliteti i lartë nuk kanë krijuar stimuj të mjaftueshëm për rritjen e produktivitetit gjatë dekadave pas rënies së komunizmit. Pagat e ulëta kanë kufizuar presionin ndaj ndërmarrjeve për të investuar në automatizim dhe teknologji që mund të rrisin prodhimin pa shtuar proporcionalisht kostot e punës.


Rënia e peshës së fasonerisë në ekonomi dhe në punësim mund të krijojë premisa për një orientim drejt sektorëve me produktivitet dhe vlerë të shtuar më të lartë.


Produktiviteti i ulët kufizon rritjen e pagave reale

Produktiviteti i ulët i punës kufizon mundësitë për rritjen e qëndrueshme të pagave reale, ndaj përmirësimi i këtij treguesi është thelbësor edhe për rritjen e mirëqenies.


Nga ana tjetër, presioni i tregut të punës për paga më të larta, i evidentuar në Shqipëri gjatë viteve të fundit, mund t'i shtyjë bizneset drejt investimeve që rrisin produktivitetin, në mënyrë që të përballojnë kostot më të larta të punës dhe të ruajnë konkurrueshmërinë.


Megjithatë, të dhënat krahasuese të ILO-s tregojnë se deri tani Shqipëria nuk ka arritur përmirësime të rëndësishme në produktivitetin e punës dhe vijon të mbetet pas vendeve të tjera të rajonit.


Burimi: Monitor


Më të lexuarat