Inceneratori i pa ndërtuar i Tiranës, kompania nën sekuestro me 8 mln euro fitim në 2025
“Integrated Energy BV SPV”, shoqëria koncesionare e inceneratorit të Tiranës, realizoi 792.3 milionë lekë fitim para taksave në vitin 2025, ose mbi 8 milionë euro.
Fitimi u realizua ndërkohë që impianti i incinerimit, një nga veprat kryesore të parashikuara në kontratën koncesionare, nuk është ndërtuar.
Sipas pasqyrave financiare të vitit 2025, të ardhurat nga aktiviteti kryesor i kompanisë arritën në 1.5 miliardë lekë. Në raport, shoqëria deklaron se të ardhurat sigurohen nga përpunimi i mbetjeve. Gjatë vitit 2025 janë pranuar dhe trajtuar mbetje nga bashkitë e qarkut dhe operatorë privatë me kontratë, ndërsa sasia e trajtuar ishte rreth 492,935 ton.
Fitimi para tatimit prej 792.3 milionë lekësh përfaqësonte rreth 53 për qind të të ardhurave. Kjo do të thotë se për çdo 100 lekë të ardhura, kompania gjeneroi afro 53 lekë fitim para taksave.
Pas pagesës së 119.6 milionë lekëve tatim, “Integrated Energy BV SPV” e mbylli vitin 2025 me një fitim neto prej 672.8 milionë lekësh, ose gati 7 milionë euro.
913 milionë lekë pagesa nga buxheti vetëm në 2025
Koncesioni i mbetjeve në Tiranë ka vijuar të marrë pagesa nga buxheti i shtetit edhe pas vendosjes nën sekuestro, ndërkohë që kryen shërbimin e menaxhimit të mbetjeve, por nuk ka realizuar investimin e parashikuar për ndërtimin e inceneratorit.
Gjatë vitit 2025, shoqëria mori 913 milionë lekë pagesa nga buxheti, ndërsa që prej vitit 2017 ka përfituar gjithsej 8.4 miliardë lekë.
Rezultatet financiare marrin një rëndësi të veçantë për shkak të historisë së kontratës dhe hetimeve penale. Koncesioni, me një vlerë të parashikuar investimi prej 128.2 milionë eurosh pa TVSH, u dha në vitin 2017 për ndërtimin e landfillit, inceneratorit, rehabilitimin e venddepozitimeve ekzistuese dhe prodhimin e energjisë elektrike.
Megjithatë, impianti industrial i incinerimit nuk u ndërtua. Kontrolli i Lartë i Shtetit kishte konstatuar se Bashkia e Tiranës dhe institucionet shtetërore paguanin tarifën e plotë prej 29 eurosh për ton, megjithëse kjo tarifë përfshinte edhe procesin e incinerimit, i cili nuk kryhej.
Kompania nën sekuestro që prej korrikut 2023
“Integrated Energy BV SPV” ndodhet nën sekuestro preventive që prej korrikut 2023 dhe administrohet nga shteti. Sipas SPAK-ut, pronarët “de facto” të shoqërisë janë Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto, pavarësisht strukturës formale të pronësisë së regjistruar jashtë vendit.
Në korrik 2026, SPAK dërgoi për gjykim 12 persona dhe dy shoqëritë “Integrated Energy BV SPV” dhe “Integrated Technology Service”. Vetë shoqëria koncesionare akuzohet për mashtrim me pasoja të rënda dhe pastrim të produkteve të veprës penale.
Sipas SPAK-ut, nga fillimi i kontratës deri në vendosjen e sekuestros në vitin 2023, kompania siguroi 11.3 miliardë lekë të ardhura, ndërsa për ndërtimin e veprës u investuan vetëm 21 milionë euro.
Prokuroria pretendon se shuma të mëdha parash janë nxjerrë nga llogaritë përmes faturave fiktive, kompanive të krijuara brenda dhe jashtë Shqipërisë dhe transfertave në para fizike. Vlera e identifikuar nga hetimi arrin në 1.28 miliardë lekë dhe 16.7 milionë euro.
Fitime të larta, inceneratori ende i pandërtuar
Norma prej 53 për qind e fitimit para taksave tregon se kontrata vijon të gjenerojë fitime të konsiderueshme, ndërkohë që inceneratori, vepra kryesore që duhet të justifikonte një pjesë të tarifës dhe investimit të parashikuar, nuk është ndërtuar edhe pas nëntë vitesh nga hyrja në fuqi e kontratës.