Secondary Adv

Ekonomia u rrit me 3.71 për qind, Shqipëria ndër vendet me ritmin më të lartë në rajon

Ekonomia shqiptare u rrit me 3.71% në tremujorin e parë të vitit 2026, duke regjistruar një ritëm më të lartë se mesatarja e Ballkanit Perëndimor dhe dukshëm mbi rritjen mesatare të Bashkimit Europian.

Shqipëria regjistroi një rritje ekonomike prej 3.71% në tremujorin e parë të vitit 2026, duke u renditur në krye të vendeve të Ballkanit Perëndimor së bashku me Kosovën. Të dhënat janë bërë publike nga ministri i Financave, Petrit Malaj, i cili thekson se ekonomia shqiptare po ecën me një ritëm më të lartë se mesatarja e rajonit dhe shumë mbi atë të Bashkimit Europian.


Sipas statistikave të publikuara prej tij, Serbia regjistroi një rritje ekonomike prej 3.20%, Maqedonia e Veriut 3.1%, Mali i Zi 3.69% dhe Bosnjë-Hercegovina 1.9%. Mesatarja e vendeve të Ballkanit Perëndimor rezulton në 3.30%, ndërsa ajo e Bashkimit Europian në 0.7%.


Malaj: Pritshmëritë janë për përshpejtim të rritjes

Në reagimin e tij në rrjetet sociale, ministri i Financave e lidhi këtë rezultat me politikat ekonomike të ndjekura nga qeveria, të cilat, sipas tij, kanë mbështetur investimet, biznesin, punësimin dhe konsumin. Malaj u shpreh se pritshmëritë janë që rritja ekonomike të përshpejtohet edhe gjatë tremujorëve të ardhshëm, e mbështetur nga turizmi, investimet dhe sektorët prioritarë.


“Me 3.71% rritje ekonomike në tremujorin e parë 2026, Shqipëria renditet në krye të rajonit së bashku me Kosovën dhe shumë mbi ritmin mesatar të Bashkimit Europian prej vetëm 0.7%. Ky rezultat është dëshmi e një vizioni të qartë dhe politikave të qëndrueshme ekonomike, që po mbështesin investimet, biznesin, punësimin dhe konsumin.



Dhe pritshmëritë janë edhe më pozitive: me vijimin e këtyre politikave dhe masave, performancës së turizmit, investimeve dhe sektorëve prioritarë, presim që rritja ekonomike të përshpejtohet në tremujorët e ardhshëm. Shqipëria dhe Kosova po udhëheqin ritmin e rritjes në rajon, ndërsa Shqipëria po ngushton me shpejtësi distancën me Europën. Më shumë rritje, më shumë mundësi, më pranë Bashkimit Europian”, shkroi Malaj në rrjetet sociale.


Burimi: Shqiptarja


Më të lexuarat