Autostrada Tiranë-Durrës, lidhet kontrata 1.1 mld lekë për 6 mbikalime, ndriçim dhe gjelbërim
Autoriteti Rrugor Shqiptar ka nënshkruar kontratën me vlerë gati 1.1 miliardë lekë, me TVSH, për plotësimin e punimeve dhe përmirësimin estetik të autostradës Tiranë–Durrës, në segmentin nga sheshi Shqiponja deri te nënkalimi i Limuthit.
Kontrata është lidhur me bashkimin e kompanive “Fusha”, “Udha” dhe “Taulant” shpk. Ajo është firmosur më 31 korrik dhe parashikon një afat zbatimi prej 12 muajsh, me përfundimin e punimeve deri më 31 korrik 2027.
Parashikohet ndërtimi i 6 mbikalimeve
Një nga komponentët kryesorë të projektit është ndërtimi i gjashtë mbikalimeve përgjatë aksit. Ato parashikohet të ndërtohen në afërsi të zonës së Veko Group, pranë Universitetit Polis, pas QTU-së dhe urës së Lumit Lana në drejtim të Brunes, pranë FedEx Albania dhe në afërsi të pikës së karburantit Kastrati.
Sipas Autoritetit Rrugor Shqiptar, mbikalimet synojnë të përmirësojnë aksesin dhe lëvizjen drejt zonave përreth autostradës, përfshirë edhe fshatin Yrshek.
Ndriçim LED dhe ndërhyrje në pjesët e amortizuara
Një tjetër pjesë e kontratës lidhet me përmirësimin e ndriçimit rrugor dhe elementeve të sigurisë. Projekti parashikon instalimin e ndriçuesve LED dhe vendosjen e shtyllave të reja përgjatë segmentit.
Punimet përfshijnë gjithashtu veshjen dekorative të mureve të nënkalimeve në zonën e ish-Sheshit Shqiponja, riveshjen e shtresave asfaltike në pjesët e amortizuara të aksit, si dhe ndërhyrje për përmirësimin estetik të segmentit.
Kontrata synon përfundimin e punimeve dhe përmirësimin e përgjithshëm të segmentit të zgjeruar të autostradës Tiranë–Durrës. Një pjesë e këtij segmenti është hapur tashmë për qarkullimin e automjeteve, ndërsa në seksione të tjera punimet vijojnë.