Secondary Adv

Tenderi, rreth 10 mln euro për Fazën II të ujësjellësit në Mamurras

Shoqëria Rajonale Ujësjellës Kanalizime Lezhë ka hapur tenderin me fond limit 932.3 milionë lekë për Fazën II të ujësjellësit të Mamurrasit, një investim rreth 10 milionë euro për përfundimin e rrjetit të furnizimit me ujë në qytet dhe zonat përreth.

Procedura ka si objekt “Ndërtim rrjeti ujësjellësi qyteti Mamurras, Faza II” dhe vijon projektin e ndarë në dy etapa për shkak të financimit. Sipas relacionit teknik, në këtë fazë parashikohet përfundimi i rrjetit shpërndarës, me shtrirjen e linjave në të gjithë zonën e shërbimit, duke përfshirë periferinë dhe lagjet e reja.

Në Fazën II parashikohet gjithashtu përfundimi i sistemit SCADA, i cili do të mundësojë monitorimin dhe kontrollin në kohë reale të rrjetit të furnizimit me ujë dhe të rezervuarëve.


Projekti mbulon Mamurrasin dhe disa fshatra


Sipas dokumentacionit, projekti përfshin qytetin e Mamurrasit dhe fshatrat Shpërdhet, Gjonëm, Fushë Mamurras, Drojë, Fertash, Golemë dhe Katund i Ri. Zona e projektit shtrihet në rreth 3,198 hektarë, ndërsa sipas të dhënave të Bashkisë Kurbin, rreth 65% e popullsisë jeton në fshat dhe 35% në qytet.


Njësia Administrative Mamurras kishte 24,293 banorë në vitin 2025, nga 24,288 banorë në vitin 2024 dhe 24,129 në vitin 2023, sipas të dhënave të përfshira në dokumentacion.


Furnizimi me ujë nga pus-shpimet në Zhejë


Zgjidhja teknike e projektit mbështetet në furnizimin me ujë nga pus-shpimet në Zhejë. Përmes një stacioni pompimi dhe një tubacioni transmetimi, uji do të dërgohet në një rezervuar me kapacitet 4,000 metra kub, të vendosur në kuotën rreth 114.8 metra mbi nivelin e detit.


Në Fazën I të projektit ishin parashikuar rreth 41.3 kilometra tubacione, 1,624 matësa uji, 13 reduktorë presioni, 35 puseta betoni dhe 11 hidrante, së bashku me ngritjen e strukturës fillestare të sistemit SCADA.


Rrjeti ndahet sipas zonave të presionit


Për Fazën II, rrjeti është ndarë sipas zonave të presionit dhe kuotave të terrenit. Për zonat me kuota nga 0 deri në 35 metra është parashikuar një tubacion PE100-RC me diametër 315 mm, që do të mbulojë Mamurrasin, Fushë Mamurrasin, Fertashin, Golemën, Fushë Gjormin dhe një pjesë të Shpërdhetit.


Një linjë tjetër me diametër 200 mm është parashikuar për Drojën dhe një pjesë të Shpërdhetit. Relacioni teknik specifikon përdorimin e tubacioneve PE 100-RC PN10 dhe PN16, në përputhje me standardet teknike të përcaktuara në dokumentacionin e projektit.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat