Secondary Adv

Bizneset kërkojnë zgjidhje urgjente: Kosovës i duhet stabilitet institucional dhe ekonomik

Lidhja e Bizneseve të Kosovës ka ngritur shqetësimin për zgjatjen e ngërçit institucional dhe klimën e tensionuar politike, duke paralajmëruar se pasiguria po krijon kosto për ekonominë, investimet dhe bizneset.

Organizata kërkon funksionalizimin e institucioneve dhe politika ekonomike të qarta e të parashikueshme.


LBK thekson se, ndonëse nuk ndërhyn në proceset politike, interesi i saj lidhet drejtpërdrejt me nevojën që Kosova të ketë institucione funksionale, stabilitet institucional, sundim të ligjit, transparencë dhe një mjedis të parashikueshëm për bizneset dhe investitorët.


Sipas organizatës, zgjatja e krizës institucionale po krijon pasiguri për qytetarët dhe komunitetin e biznesit dhe mund të ndikojë negativisht në investimet e reja, reformat ekonomike dhe qasjen e Kosovës në mekanizma dhe programe të rëndësishme financiare ndërkombëtare.


“Çdo vonesë institucionale ka kosto ekonomike”, thuhet në reagimin e LBK-së, ku nënvizohet se situata ndikon në investime, hapjen e vendeve të reja të punës, zhvillimin e prodhimit vendor dhe aftësinë e kompanive për të bërë planifikime afatgjata.


Bizneset përballen me rritje kostosh dhe mungesë të fuqisë punëtore


Sipas LBK-së, shqetësimi i komunitetit të biznesit është shtuar edhe për shkak të problemeve me të cilat po përballen ndërmarrjet në Kosovë. Prodhuesit vendorë po përballen me rritjen e kostove, konkurrencën e produkteve të importuara, vështirësitë në treg, kostot e energjisë, mungesën e fuqisë punëtore dhe pasigurinë që vështirëson planifikimin e investimeve.


“Bizneset nuk kanë nevojë për më shumë pasiguri. Ato kanë nevojë për stabilitet, vendimmarrje, reforma dhe politika ekonomike të qarta dhe të parashikueshme”, deklaron LBK.


LBK: 44 për qind e të rinjve mendojnë të largohen nga Kosova


Në reagim përmenden edhe të dhënat e një hulumtimi të realizuar në maj të vitit 2026, të cilat, sipas LBK-së, evidentojnë shqetësime serioze sociale dhe ekonomike. Rreth 44% e të rinjve të moshës 18 deri në 24 vjeç deklarojnë se mendojnë të largohen nga Kosova.


Kostoja e jetesës paraqitet gjithashtu ndër shqetësimet kryesore të qytetarëve, veçanërisht për shkak të çmimeve të mallrave të konsumit dhe energjisë elektrike. LBK vlerëson se këto të dhëna duhet të shërbejnë si sinjal për institucionet që vëmendja të rikthehet te problemet konkrete të qytetarëve dhe ekonomisë.


“Interesi ekonomik i vendit duhet të jetë mbi çdo kalkulim afatshkurtër”


Lidhja e Bizneseve të Kosovës u ka bërë thirrje të gjitha subjekteve dhe institucioneve të kontribuojnë në tejkalimin e situatës aktuale dhe funksionalizimin e plotë të institucioneve të Republikës së Kosovës.


“Interesi ekonomik i vendit duhet të jetë mbi çdo kalkulim afatshkurtër”, thekson LBK.


Sipas organizatës, Kosovës i nevojitet një mjedis institucional ku bizneset mund të investojnë, prodhuesit të zhvillohen, punëtorët të kenë vende të sigurta pune dhe të rinjtë të shohin perspektivë për të ardhmen në vend.


LBK deklaron se mbetet e gatshme të kontribuojë në mënyrë profesionale dhe konstruktive në çdo proces që synon përmirësimin e klimës së biznesit, forcimin e ekonomisë dhe krijimin e një mjedisi më të qëndrueshëm për sektorin privat.


“Sot më shumë se kurrë, Kosovës i duhet funksionalitet institucional, stabilitet ekonomik dhe një fokus i përbashkët te zhvillimi”, përfundon Lidhja e Bizneseve të Kosovës.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat