Secondary Adv

Projeksioni alarmant i OKB: Popullsia e Shqipërisë do të arrijë në 1.18 mln banorë në vitin 2100

Shqipëria e ka kaluar kulmin e saj demografik prej 35 vjetësh dhe rënia e popullsisë pritet të vazhdojë gjatë gjithë këtij shekulli.

Sipas projeksioneve të Kombeve të Bashkuara, në skenarin e mesëm vendi mund të mbetet me vetëm rreth 1.18 milionë banorë në vitin 2100.


Të dhënat e serisë World Population Prospects 2024, mbi të cilat bazohet analiza e Our World in Data, tregojnë se Shqipëria e arriti maksimumin e popullsisë në vitin 1991, kur numëronte 3,282,602 banorë. Që prej asaj kohe vendi ka hyrë në një cikël tkurrjeje demografike, i cili sipas projeksioneve pritet të vazhdojë edhe gjatë dekadave të ardhshme.


Në skenarin e mesëm të OKB-së, popullsia e Shqipërisë projektohet të zbresë në 1,184,997 banorë në vitin 2100. Krahasuar me kulmin e vitit 1991, kjo do të nënkuptonte rreth 2.1 milionë banorë më pak, ose një tkurrje prej 63.9%. Vetëm nga niveli i projektuar për vitin 2026 deri në fund të shekullit, Shqipëria do të humbiste rreth 1.57 milionë banorë, më shumë se gjysmën e popullsisë së sotme sipas serisë së OKB-së.


Shqipëria e nisi rënien 29 vjet përpara Europës


Kthesa demografike në Shqipëri ka ndodhur shumë më herët se në Europë në tërësi. Sipas të njëjtës databazë të OKB-së, popullsia e kontinentit europian arriti maksimumin në vitin 2020, me rreth 749.2 milionë banorë. Shqipëria e kishte kaluar kulmin e saj 29 vjet më herët.


Deri në vitin 2100, popullsia e Europës projektohet të zbresë në rreth 592.3 milionë banorë, afërsisht 21% më pak se në kulmin e saj. Tkurrja është shumë më e moderuar se rënia prej 63.9% që projektohet për Shqipërinë.


Shqipëria bën pjesë në grupin e vendeve të Europës Lindore dhe Juglindore që e kanë arritur shumë herët maksimumin demografik. Serbia e pati kulmin në vitin 1987,

Bullgaria në 1988 dhe Kroacia në 1990, ndërsa Shqipëria dhe Bosnjë-Hercegovina në vitin 1991.


Në pjesën tjetër të rajonit, seria e OKB-së e vendos kulmin e popullsisë së Kosovës në vitin 1997 dhe atë të Maqedonisë së Veriut në 2005, ndërsa Greqia vazhdoi të rritej deri në vitin 2010. Mali i Zi dhe Sllovenia e arritën maksimumin shumë më vonë, në vitin 2024. Turqia përbën një nga përjashtimet e rajonit, pasi në skenarin e mesëm popullsia e saj pritet të vazhdojë të rritet edhe për rreth dy dekada dhe të kulmojë rreth vitit 2047.


Vetëm Bosnjë-Hercegovina me rënie më të fortë se Shqipëria në rajon


Krahasimi me vendet e Ballkanit tregon përmasat e tkurrjes që parashikohet për Shqipërinë. Nga maksimumi historik deri në vitin 2100, vendi renditet ndër shtetet që pritet të humbin pjesën më të madhe të popullsisë.


Bosnjë-Hercegovina projektohet të zbresë nga 4.46 milionë banorë në kulmin e vitit 1991 në rreth 1.37 milionë në vitin 2100, ose 69.4% më pak. Shqipëria vjen menjëherë pas saj me një tkurrje prej 63.9%.


Për Bullgarinë, rënia nga kulmi historik deri në vitin 2100 projektohet në rreth 60.7%, për Maqedoninë e Veriut në 58.7%, Kroacinë në 55.7%, Serbinë në rreth 53.1% dhe Kosovën në 50.2%.


Tkurrja e projektuar është më e moderuar në Malin e Zi, me rreth 49% nga kulmi deri në vitin 2100, dhe në Greqi, me rreth 44%. Sllovenia paraqitet me një situatë më të favorshme, pasi popullsia e saj në fund të shekullit projektohet rreth 23% më e ulët se maksimumi historik.


Lindshmëria e ulët dhe emigracioni shtojnë presionin demografik


Pozicioni i Shqipërisë është pjesë e një fenomeni më të gjerë që prek veçanërisht Europën Lindore. Our World in Data evidenton se pothuajse të gjitha vendet që e kanë kaluar tashmë kulmin e popullsisë ndodhen në Europë dhe Azinë Lindore, rajone ku lindshmëria ka rënë me shpejtësi dhe ka qëndruar në nivele të ulëta.


Për vendet e Europës Lindore, këtij zhvillimi i shtohet edhe emigracioni i lartë, duke përforcuar më tej tkurrjen demografike. Për Shqipërinë, kombinimi i lindshmërisë së ulët me largimin e popullsisë e vendos vendin përballë një prej rënieve më të forta të projektuara të popullsisë në rajon deri në fund të shekullit.

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat