Qiratë rrisin më tej inflacionin e brendshëm, inflacioni i importuar ngelet negativ
Presionet mbi çmimet në Shqipëri po vijnë gjithnjë e më shumë nga ekonomia e brendshme, ku qiratë po luajnë rolin kryesor.
Inflacioni i brendshëm arriti në 3.7 për qind në tremujorin e dytë të vitit, ndërsa inflacioni i importuar, megjithëse u rrit ndjeshëm, vazhdoi të mbetet në territor negativ.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, inflacioni i gjeneruar nga ekonomia e brendshme u rrit nga 3.6 për qind në tremujorin e parë në 3.7 për qind në tremujorin e dytë. Nxitjen kryesore e dha shtrenjtimi i qirave, të cilat vijojnë të ushtrojnë presion të fortë mbi nivelin e përgjithshëm të çmimeve.
Inflacioni i qirave dha një kontribut prej rreth 2 pikësh përqindjeje, duke përfaqësuar rreth 54 për qind të inflacionit total të brendshëm gjatë periudhës.
Inflacioni i qirave arrin në 7.8 për qind
Në qershor, inflacioni i qirave arriti nivelin më të lartë historik prej 7.8 për qind. Në tremujorin e parë të vitit, ky tregues kishte qenë 7.5 për qind. Pas një ngadalësimi të lehtë në 6.9 për qind gjatë periudhës maj-qershor, në qershor rritja u përshpejtua sërish, duke arritur në 7.8 për qind.
Rritja e qershorit duket se reflekton edhe presionet e kërkesës së shtuar sezonale për qira ditore, të lidhura me sezonin veror dhe aktivitetin turistik.
Zgjerimi i shpejtë i turizmit po ndikon në tregun e qirave në dy drejtime. Nga njëra anë rrit kërkesën direkte për akomodime dhe qira ditore, ndërsa nga ana tjetër mund të reduktojë ofertën e banesave për qira afatgjata, duke ushtruar presion mbi çmimet edhe në këtë segment.
Inflacioni i importuar mbetet negativ
Në analizën e inflacionit sipas burimit, Banka e Shqipërisë evidenton se inflacioni i importuar u rrit në -1.1 për qind në tremujorin e dytë, nga -4.7 për qind në tremujorin e parë.
Ky zhvillim është ndikuar ndjeshëm nga rritja e çmimeve të naftës. Në kahun tjetër, mbiçmimi i lekut ka vijuar të zbusë presionet që vijnë nga çmimet e huaja. Pavarësisht rritjes së ndjeshme gjatë tremujorit të dytë, inflacioni i importuar vazhdon të japë një kontribut negativ prej 0.2 pikësh përqindjeje në formimin e inflacionit total.
Pagat dhe tregu i punës shtojnë presionet mbi çmimet
Ecuria e inflacionit gjatë viteve të fundit është karakterizuar nga një dominim i qartë i faktorëve të brendshëm. Sipas analizës, nivelet e larta të inflacionit të brendshëm janë ndikuar veçanërisht nga presionet e tregut të punës.
Rritja e kërkesës për punonjës në sektorë të caktuar, veçanërisht në aktivitetet e lidhura me turizmin, së bashku me emigracionin e lartë të të rinjve, kanë krijuar trysni të
vazhdueshme për rritjen e pagave.
Një pjesë e kostove më të larta të punës është reflektuar në çmimet e mallrave dhe shërbimeve, ndërsa një pjesë mund të jetë përthithur nga bizneset përmes uljes së marzheve të fitimit. Në tregtinë e mallrave, këto presione janë amortizuar pjesërisht edhe nga forcimi i lekut në kursin e këmbimit.
Nafta zbeh efektin frenues të importeve
Që nga fillimi i vitit, rritja e çmimit të naftës e ka kthyer inflacionin e importuar në një trajektore rritëse. Gjatë viteve 2024-2025, çmimet e importit kishin ndihmuar në balancimin e presioneve të konsiderueshme inflacioniste që vinin nga ekonomia e brendshme.
Zbehja e këtij efekti deflacionist ka bërë që inflacioni të kalojë mbi objektivin prej 3 për qind të Bankës së Shqipërisë, duke arritur në 3.4 për qind në muajin korrik.