Secondary Adv

Inflacioni sipas Eurostat arrin 3.4 për qind, Shqipëria mbi mesataren e BE

Inflacioni në Shqipëri, i matur sipas metodologjisë së harmonizuar europiane, arriti në 3.4 për qind në korrik 2026, duke u pozicionuar mbi mesataren e Bashkimit Europian.

Ushqimet, argëtimi, akomodimi dhe transporti dhanë disa nga kontributet kryesore në rritjen e çmimeve.


Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK) regjistroi një rritje vjetore prej 3.4 për qind në korrik. Në grafikun krahasues të institutit, mesatarja e 27 vendeve të Bashkimit Europian paraqitet në nivelin 3 për qind, duke e vendosur Shqipërinë rreth 0.4 pikë përqindjeje mbi këtë nivel.


IHÇK është treguesi që mundëson krahasimin e inflacionit të Shqipërisë me vendet europiane, pasi llogaritet sipas metodologjisë së Eurostat. Ndryshe nga Indeksi i Çmimeve të Konsumit, që përbën matësin zyrtar të inflacionit në Shqipëri, indeksi i harmonizuar përdoret për monitorimin dhe krahasimin e lëvizjes së çmimeve ndërmjet vendeve.


Ushqimet japin kontributin më të madh në inflacion


Presionin më të madh mbi inflacionin në korrik vijuan ta japin ushqimet dhe pijet joalkoolike. Çmimet e këtij grupi u rritën me 3.2 për qind krahasuar me korrikun e vitit të kaluar, duke dhënë një kontribut prej 1.09 pikësh përqindjeje në inflacionin total.


Rritja më e lartë vjetore e çmimeve u regjistrua në grupin “Argëtim, sport dhe kulturë”, me 8.5 për qind, ndërsa kontributi i tij në inflacion ishte 0.55 pikë përqindjeje.


Në një periudhë që përkon me kulmin e sezonit turistik, çmimet e restoranteve dhe shërbimeve të akomodimit rezultuan 3.6 për qind më të larta se një vit më parë, duke kontribuar me 0.53 pikë përqindjeje në inflacion.


Një tjetër burim i rëndësishëm presioni ishte transporti, ku çmimet u rritën me 4.6 për qind në terma vjetorë dhe dhanë një kontribut prej 0.39 pikësh përqindjeje. Pijet alkoolike dhe duhani u shtrenjtuan me 4.5 për qind, shërbimi arsimor me 3.3 për qind, ndërsa sigurimet dhe shërbimet financiare me 3.2 për qind krahasuar me korrikun 2025.


Çmimet bien lehtë krahasuar me qershorin


Pavarësisht rritjes vjetore prej 3.4 për qind, krahasuar me qershorin niveli i përgjithshëm i çmimeve shënoi një rënie të lehtë prej 0.1 për qind.


Ushqimet dhe pijet joalkoolike u liruan me 0.9 për qind brenda muajit, veshjet dhe këpucët me 1.2 për qind, informacioni dhe komunikimi me 1.3 për qind, ndërsa sigurimet dhe shërbimet financiare me 1 për qind.


Në drejtim të kundërt lëvizi transporti, ku çmimet u rritën me 2.5 për qind vetëm gjatë muajit korrik. Edhe grupi “Qira, ujë, energji elektrike, gaz dhe karburante të tjera” regjistroi një rritje mujore prej 1 për qind.


Inflacioni përshpejtohet në muajt e fundit


Të dhënat tregojnë një përshpejtim të inflacionit të harmonizuar gjatë muajve të fundit. Sipas grafikut të INSTAT, norma vjetore, pasi qëndroi kryesisht në intervalin 2–2.6 për qind gjatë pjesës më të madhe të periudhës së mëparshme, është ngjitur mbi 3 për qind në muajt e fundit, duke arritur në 3.4 për qind në korrik.


Krahasimi europian e vendos Shqipërinë në grupin e vendeve me inflacion mbi mesataren e BE-së, por larg niveleve më të larta të paraqitura për disa ekonomi europiane. Sipas grafikut të publikuar nga INSTAT për korrikun, Rumania paraqitet me normën më të lartë, mbi 8 për qind, e ndjekur nga Islanda dhe Irlanda, ndërsa Zvicra dhe Suedia regjistrojnë normat më të ulëta.


Metodologjia përafrohet më tej me standardet europiane


Nga viti 2026, përllogaritja e indeksit është përafruar më tej me standardet europiane. INSTAT bën të ditur se nga muaji shkurt përdoret klasifikimi ECOICOP 2018, ndërsa periudha referuese e indeksit është ndryshuar në 2025=100.


Sipas institutit, këto ndryshime janë në përputhje me rregulloret e Bashkimit Europian dhe synojnë harmonizimin e plotë me praktikat statistikore europiane dhe ndërkombëtare.


Një ndryshim i rëndësishëm mes inflacionit kombëtar dhe IHÇK-së lidhet me bazën e shpenzimeve që përfshihen në përllogaritje. Indeksi i harmonizuar merr në konsideratë të gjitha shpenzimet e kryera brenda territorit të Shqipërisë, përfshirë ato të turistëve të huaj. Ky element merr një peshë të veçantë gjatë sezonit veror, kur flukset turistike dhe konsumi i vizitorëve të huaj në vend arrijnë nivele të larta.

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat