Kadastra: Hapat si të regjistroni pronësinë e shtëpive të ndërtuara para vitit 91
Qytetarët që kanë marrë vendimin për kalimin në pronësi të shtëpive të ndërtuara para vitit 1991, oborreve në përdorim apo trojeve funksionale, mund ta regjistrojnë pronën përmes portalit e-Albania.
Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka publikuar hapat që duhet të ndiqen për përfundimin e procedurës dhe pajisjen me dokumentacionin e pronësisë.
Sipas Kadastrës, procedura u mundëson qytetarëve që kanë përfituar vendimin për kalimin e pronësisë të kryejnë regjistrimin dhe të pajisen me dokumentacionin e plotë për pasurinë e tyre.
Si kryhet aplikimi në e-Albania
Për të nisur procedurën, qytetari duhet fillimisht të hyjë në llogarinë e tij në portalin e-Albania. Më pas duhet të zgjedhë shërbimin “Aplikim për regjistrimin e kalimit të pronësisë me anë të ligjit, me vendim të gjykatës, apo të një akti administrativ” dhe të klikojë opsionin “Përdor”.
Pas hapjes së shërbimit, aplikanti duhet të krijojë një aplikim të ri dhe të plotësojë fushat e kërkuara në portal. Në vijim duhet të shtojë nënshërbimin “Regjistrim i kalimit të pronësisë me anë të aktit administrativ të lëshuar nga ASHK”.
Sipas Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, pas zgjedhjes së këtij nënshërbimi, sistemi shton automatikisht edhe shërbimin për lëshimin e certifikatës së pronësisë, kopjen e kartelës së pasurisë së paluajtshme dhe kopjen e fragmentit të hartës kadastrale.
Pagesa pas përfundimit të aplikimit
Pasi të jenë plotësuar të gjitha të dhënat e kërkuara, qytetari duhet të dërgojë aplikimin, të shkarkojë mandatin përkatës dhe të kryejë pagesën.
Pagesa mund të realizohet online, pranë Postës Shqiptare ose në çdo bankë të nivelit të dytë.
Agjencia Shtetërore e Kadastrës bën të ditur se informacioni për dokumentacionin që nevojitet gjatë aplikimit për shërbimet kadastrale mund të gjendet në faqen e saj të internetit, në rubrikën “Shërbime”.