Secondary Adv

Mbrojtja nga përmbytjet, tender 2.3 mln euro për Devollin dhe Osumin

Rreth 2.3 milionë euro do të investohen për mbrojtjen nga përmbytjet dhe gërryerjet përgjatë lumenjve Devoll dhe Osum.

Procedura e prokurimit, me fond limit 228.9 milionë lekë, është ndarë në tre lote dhe përfshin ndërhyrje në Cërrik, Devoll dhe Berat.


Pjesa më e madhe e fondit është parashikuar për mbrojtjen lumore në Osum, në lagjen Bejtollarët të Beratit, dhe për ndërhyrjen kundër gërryerjeve në Bitinckë të Devollit.


31.9 mln lekë për mbrojtjen nga përmbytjet në Cërrik

Loti i parë, “Mbrojtje nga përmbytjet e lumit Devoll (loti 2) – Bashkia Cërrik”, ka një fond limit prej 31.9 milionë lekësh. Dokumentacioni teknik për ndërhyrjen në zonën e Desarës parashikon vazhdimin e mbrojtjes së brigjeve para dhe pas veprave ekzistuese, përmes mbrojtjeve gjatësore me gabiona dhe blloqe betoni, si dhe riparimin e segmenteve të dëmtuara të strukturave aktuale.


Në një prej segmenteve është parashikuar ndërtimi i 70 metrave linearë mbrojtje me gabiona me lartësi 4 metra, ndërsa një segment tjetër prej 100 metrash do të realizohet gjithashtu me mbrojtje gjatësore me gabiona. Projekti përfshin edhe riparimin e mbrojtjeve ekzistuese dhe ndërhyrje me gurë në segmente të tjera përgjatë lumit.


94.7 mln lekë kundër gërryerjeve në Bitinckë


Loti i dytë, “Mbrojtje nga gërryerjet në lumin Devoll, fshati Bitinckë – Devoll”, ka një fond limit prej 94.7 milionë lekësh. Projekti synon mbrojtjen e tokave në krahun perëndimor të rrjedhës së Devollit nga gërryerjet.


Sipas dokumentacionit, segmenti është i ekspozuar ndaj gërryerjeve intensive në një gjatësi prej rreth 800 metrash. Për këtë arsye parashikohet ndërtimi i një mbrojtjeje gjatësore përgjatë shpatit të dëmtuar, me themele me gurë masivë dhe gabiona të mbushur me gurë, të kombinuar me rrjetë teli të zinkuar.


Planimetria e projektit parashikon një mbrojtje gjatësore prej rreth 787 metrash në afërsi të bregut të lumit Devoll.


Investimi më i madh në Osum, 102.3 mln lekë


Loti i tretë, “Mbrojtje lumore e krahut të majtë lumi Osum, lagjja Bejtollarët – Bashkia Berat”, ka fond limit 102.3 milionë lekë dhe përfaqëson ndërhyrjen me vlerën më të lartë të tenderit.


Sipas raportit paraprak të vlerësimit të ndikimit në mjedis, projekti synon mbrojtjen e lagjes nga përmbytjet dhe erozioni i shkaktuar nga lumi Osum, nëpërmjet realizimit të veprave mbrojtëse dhe stabilizimit të brigjeve.


Dokumentacioni evidenton se gjatë periudhave me reshje intensive dhe prurje të larta, segmentet pranë brigjeve janë të ekspozuara ndaj rrezikut të erozionit dhe përmbytjeve, veçanërisht në zonat e banuara pranë lumit.


Punimet në Osum përfshijnë gërmimin dhe përgatitjen e terrenit, sistemimin dhe profilizimin e brigjeve dhe shtratit të lumit, si dhe ndërtimin e strukturave mbrojtëse me gabiona, penela, mure mbajtëse dhe elementë të tjerë hidroteknikë. Projekti parashikon gjithashtu stabilizimin e skarpateve dhe disiplinimin e rrjedhës së ujit, me qëllim parandalimin e dëmtimeve nga prurjet e larta dhe gërryerjet.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat