Këmbimet valutore në rekord, arrijnë 4.5 mld euro në tremujorin e dytë
Vëllimi i këmbimeve valutore në tregun e brendshëm arriti një rekord të ri historik në tremujorin e dytë të vitit 2026.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, vlera e tregtimit valutor iu afrua 4.5 miliardë eurove, duke u rritur me rreth 30 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Volumi i këmbimeve valutore tejkaloi madje edhe nivelet e regjistruara në tremujorin e tretë të vitit të kaluar. Për shkak të karakteristikave sezonale, tremujori i tretë zakonisht regjistron volumet më të larta vjetore të këmbimeve valutore, por këtë vit këto nivele janë kapërcyer që në tremujorin e dytë.
Leku forcohet më tej ndaj Euros
Pavarësisht rritjes së fortë të volumit të këmbimeve, që tregon një ofertë më të lartë për valutë në treg, Leku vijoi tendencën e mbiçmimit edhe gjatë tremujorit të dytë.
Kursi mesatar i Lekut kundrejt Euros zbriti në 94.8 lekë në qershor, nga 96 lekë në mars, me një forcim mesatar mujor të monedhës vendase prej 0.4 për qind. Në terma vjetorë, mbiçmimi i Lekut u përshpejtua në 3.2 për qind në tremujorin e dytë, nga 2.6 për qind në tremujorin paraardhës.
Tendenca u forcua më tej gjatë korrikut. Në tre javët e para të muajit, kursi mesatar Euro/Lek zbriti në 93.8 lekë, duke reflektuar një forcim vjetor të Lekut prej 4 për qind.
E njëjta prirje po vazhdon edhe gjatë gushtit, kur Euro ka qëndruar nën kufirin e 93 lekëve dhe ka prekur nivele minimale historike. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, të martën Euro u këmbye me 92.76 lekë, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë.
BSH e lidh rritjen e këmbimeve me Bilancin e Pagesave
Banka e Shqipërisë vlerëson se rritja e volumeve të këmbimit valutor dhe forcimi i vazhdueshëm i Lekut mbeten të lidhura ngushtë me ecurinë e Bilancit të Pagesave.
Sipas Bankës Qendrore, analiza e kombinuar e të dhënave të tregut valutor dhe atyre të Bilancit të Pagesave deri në tremujorin e parë rikonfirmon lidhjen e ngushtë ndërmjet vëllimeve të tregtimit në tregun valutor dhe flukseve të shkëmbimeve të mallrave dhe shërbimeve me jashtë. Të dhënat e Bilancit të Pagesave për tremujorin e dytë nuk janë ende të disponueshme.
Në treg dhe në publik ekziston ndërkohë edhe perceptimi se kursi i Euros ndikohet ndjeshëm nga prurjet valutore me burim informal ose kriminal, të cilat investohen veçanërisht në zhvillimin dhe blerjen e pasurive të paluajtshme.
Suficiti buxhetor arrin 52.8 mld lekë
Forcimi i Lekut po mbështetet pjesërisht edhe nga politika fiskale e qeverisë shqiptare, e karakterizuar nga suficite të mëdha fiskale gjatë pjesës më të madhe të vitit. Kjo praktikë ul ofertën e monedhës vendase në treg.
Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2026, suficiti buxhetor arriti nivelin rekord prej 52.8 miliardë lekësh, duke u rritur me 60 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Banka e Shqipërisë vijon blerjet e valutës
Banka e Shqipërisë po ndërhyn vazhdimisht në tregun valutor përmes blerjeve të valutës, por këto ndërhyrje kanë arritur vetëm të kontrollojnë pjesërisht rënien e Euros, pa mundur ta frenojnë plotësisht atë. Burime nga tregu bëjnë të ditur se Banka Qendrore po vazhdon blerjet, ndërsa presionet për forcimin e Lekut mbeten të larta.
Që prej fillimit të vitit 2024 deri në fund të tremujorit të tretë të vitit 2026, Banka e Shqipërisë ka tërhequr nga tregu gati 2.2 miliardë euro. Vetëm gjatë tremujorit të parë të këtij viti, blerjet arritën në 140 milionë euro, duke shënuar një rekord për këtë periudhë të vitit.