Banka Botërore: Shqipëria kryeson Ballkanin Perëndimor për investimet në transport
Shqipëria rezulton vendi me raportin më të favorshëm mes përfitimeve sociale dhe kostove të investimeve të reja në transport në Ballkanin Perëndimor.
Sipas Bankës Botërore, raporti i eficiencës për vendin llogaritet në 2.22, duke treguar se ka ende hapësirë të justifikuar ekonomikisht për investime shtesë në infrastrukturën e transportit.
Raporti i eficiencës për Shqipërinë është më i lartë se niveli 1.78 i Serbisë, 0.89 i Malit të Zi dhe 0.77 i Bosnjë-Hercegovinës.
Banka Botërore e ndërton këtë tregues duke krahasuar normën sociale të kthimit të investimit me koston e sigurimit të financimit, ku përfshihen norma e huamarrjes dhe amortizimi i kapitalit. Një raport mbi 1 nënkupton se përfitimet potenciale të investimit tejkalojnë kostot sipas kushteve aktuale të tregut dhe, për rrjedhojë, investimet shtesë kalojnë pragun bazë kosto-përfitim.
Shqipëria me normën më të lartë sociale të kthimit në rajon
Në rastin e Shqipërisë, norma sociale e kthimit për investimet në transport vlerësohet në 0.33. Për Serbinë ky tregues është 0.22, ndërsa për Malin e Zi dhe Bosnjë-Hercegovinën llogaritet në 0.14.
Kjo normë synon të masë jo vetëm kthimin e drejtpërdrejtë të kapitalit të investuar, por edhe përfitimet më të gjera që infrastruktura krijon për ekonominë. Banka Botërore e përkufizon normën sociale të kthimit si kthimin nga kapitali infrastrukturor që përfshin si përfitimin privat, ashtu edhe efektet e jashtme ekonomike.
Diferenca e Shqipërisë me vendet e tjera të rajonit është veçanërisht e dukshme në krahasim me Malin e Zi dhe Bosnjë-Hercegovinën. Me raporte eficience përkatësisht 0.89 dhe 0.77, të dyja vendet ndodhen nën pragun 1 që modeli i Bankës Botërore përdor për të vlerësuar nëse përfitimet potenciale të investimit tejkalojnë kostot. Serbia, me një raport 1.78, qëndron mbi këtë prag, por përsëri poshtë Shqipërisë.
Shqipëria pranë mesatares së Europës dhe Azisë Qendrore
Pavarësisht pozicionit kryesues në Ballkanin Perëndimor, Shqipëria mbetet lehtësisht poshtë mesatares së Europës dhe Azisë Qendrore për raportin e eficiencës në transport. Banka Botërore llogarit një mesatare prej 2.29 për këtë rajon, kundrejt 2.22 për Shqipërinë.
Nga ana tjetër, norma sociale e kthimit në Shqipëri, prej 0.33, është më e lartë se mesatarja prej 0.30 e Europës dhe Azisë Qendrore.
Banka Botërore vëren se kthimet nga infrastruktura e transportit priren të jenë më të larta në ekonomitë në zhvillim, ku rrjetet ekzistuese janë më të kufizuara dhe një investim shtesë mund të sjellë një efekt më të madh ekonomik. Në vendet më të zhvilluara, që kanë akumuluar tashmë stoqe të mëdha infrastrukture, kthimet potenciale nga ndërtimi i kapaciteteve të reja priren të jenë më të ulëta.
Infrastruktura ekzistuese përcakton potencialin e investimeve të reja
Sipas analizës së Bankës Botërore, diferencat e mëdha mes vendeve në raportet e eficiencës nuk shpjegohen kryesisht nga kostoja e huamarrjes. Rreth 93 për qind e variacionit të raportit të eficiencës në transport lidhet me raportin mes kapitalit infrastrukturor dhe prodhimit, ndërsa vetëm 7 për qind lidhet me koston e financimit.
Brenda komponentit të kapitalit, 71 për qind e diferencave lidhen me sasitë fizike të infrastrukturës dhe 29 për qind me kostot. Kjo nënkupton se niveli i infrastrukturës që një vend ka akumuluar tashmë është një faktor përcaktues për kthimin potencial të investimeve të ardhshme.