Skema e pensioneve mbledh mbi 1.2 mld euro në 7 muaj, të ardhurat nga kontributet rriten ndjeshëm
Të ardhurat nga kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore kanë shënuar rritje të fortë gjatë vitit 2026.
Vetëm në korrik, të punësuarit derdhën afro 17.9 miliardë lekë, ose rreth 179 milionë euro, ndërsa për periudhën janar-korrik arkëtimet arritën në 111.8 miliardë lekë, ose afro 1.2 miliardë euro.
Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, në korrik 2026 u arkëtuan afro 2.1 miliardë lekë, ose rreth 21 milionë euro, më shumë se në të njëjtin muaj të një viti më parë. Në terma vjetorë, të ardhurat nga kontributet u rritën me 13.1 për qind, duke arritur nivelin më të lartë të regjistruar në dekadën e fundit.
Ecuria pozitive është edhe më e dukshme në të dhënat progresive. Për periudhën janar-korrik 2026, kontributet e paguara nga punonjësit e sektorit privat dhe shtetëror, si dhe nga të vetëpunësuarit në bujqësi, arritën në 111.8 miliardë lekë. Në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, arkëtimet nga ky zë ishin rreth 100 miliardë lekë, çka përkthehet në një shtesë prej afro 11.8 miliardë lekësh brenda një viti.
Pagat më të larta shtojnë kontributet
Një nga faktorët që ka ndikuar në rritjen e të ardhurave është rritja e pagave në sektorin publik, e ndjekur edhe nga sektori privat. Kjo ka bërë që paga mesatare në vend të rritet ndjeshëm, duke iu afruar nivelit prej 1 mijë eurosh në muaj, dhe për rrjedhojë të rriten edhe kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.
Efekt ka dhënë gjithashtu reforma kundër informalitetit, e fokusuar veçanërisht te nëndeklarimi i pagave. Rritja e pagave të deklaruara është reflektuar drejtpërdrejt në shtimin e shumave të paguara për kontribute.
Po ashtu, vendosja e pagave referencë gjatë këtij viti në sektorë si turizmi, ndërtimi dhe mjekësia ka ndikuar në rritjen e bazës mbi të cilën llogariten kontributet, duke sjellë më shumë të ardhura për skemën.
Ndikim edhe nga paga minimale dhe bizneset e reja
Në të njëjtin drejtim ka ndikuar rritja e pagës minimale në shkallë vendi në 50 mijë lekë nga janari 2026. Me rritjen e pagës minimale rritet edhe baza minimale mbi të cilën paguhen sigurimet për punonjësit.
Një faktor tjetër lidhet me shtimin e numrit të bizneseve të hapura në Shqipëri gjatë vitit 2026 dhe me mirëadministrimin nga administrata tatimore, zhvillime që po ndikojnë pozitivisht në arkëtimet e kontributeve, pavarësisht problemeve që tregu vendas po përjeton me mungesën e fuqisë punëtore.
Aktualisht, pagesa minimale për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për një individ është rreth 13,950 lekë në muaj.