Secondary Adv

Kriza politike në Kosovë: Pas BE edhe DASH kërkon tejkalimin e ngërçit institucional

Shtetet e Bashkuara të Amerikës u kanë bërë sërish thirrje udhëheqësve politikë të Kosovës që të bashkëpunojnë për formimin e institucioneve, duke paralajmëruar se vazhdimi i ngërçit politik po sjell mundësi të humbura për vendin.

Apeli amerikan vjen pas thirrjeve të Bashkimit Evropian për gjetjen sa më shpejt të një zgjidhjeje për krizën institucionale.


Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit tha se udhëheqësit politikë duhet të punojnë së bashku për tejkalimin e situatës, në përputhje me Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese.


“Ky ngërç i vazhdueshëm politik po rezulton në mundësi të humbura për Kosovën. Është koha që udhëheqësit t’i japin përparësi progresit dhe stabilitetit, në të mirë të të gjithë qytetarëve”, tha zëdhënësi.


Kjo është thirrja e dytë e ngjashme e palës amerikane brenda një periudhe të shkurtër. Edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë kishte kërkuar më 12 gusht bashkëpunim ndërmjet forcave politike për funksionalizimin e institucioneve.


Kuvendi ende i pakonstituuar

Thirrja e re amerikane vjen ndërsa Kuvendi i Kosovës ende nuk është konstituuar pas zgjedhjeve të 7 qershorit. Seanca konstituive e legjislaturës së re nisi më 6 gusht, kur deputetët bënë betimin, por procesi nuk arriti në fazën e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit.


Albin Kurti, në cilësinë e kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, kërkoi kohë shtesë për konsultime me partitë, duke deklaruar se ende nuk kishte një marrëveshje për formimin e institucioneve. Seanca u ndërpre dhe u caktua të vazhdonte më 8 gusht.


Edhe në vazhdimin e seancës më 8 gusht nuk pati kandidaturë për kryetar të Kuvendit. Kurti kërkoi sërish kohë për konsultime, por më pas deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, hodhi vezë në drejtim të tij. Pas incidentit, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ndërpreu punimet.


Procesi ka mbetur i bllokuar që prej asaj kohe. Dehari ka deklaruar se seanca e radhës do të thirret kur partitë të arrijnë një marrëveshje për zgjidhjen e krizës, duke argumentuar se pa një dakordësi politike nuk ka kuptim që seanca të zhvillohet vetëm si formalitet.


Takime politike për gjetjen e një zgjidhjeje

Në përpjekje për të gjetur një rrugëdalje, më 18 gusht Kurti u takua me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, me fokus te zgjedhja e presidentit të ardhshëm. Pas takimit, të dy deklaruan se ekziston vullneti për të gjetur një zgjidhje dhe ranë dakord që në takimin e ardhshëm të shqyrtojnë emra konkretë për president.


PDK-ja dhe Aleanca, nga ana tjetër, kanë kërkuar që seanca konstituive të vazhdojë pa pritur arritjen e një marrëveshjeje politike. Më 12 gusht, deputetë të këtyre dy partive u mblodhën në sallën e Kuvendit dhe kërkuan nga Dehari thirrjen e vazhdimit të seancës, ndërsa pati edhe përplasje me deputetë të LVV-së.


Ngërçi mund të ndikojë edhe te fondet e BE-së

Përveç Shteteve të Bashkuara, edhe Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje partive politike që të gjejnë sa më shpejt një zgjidhje. BE-ja ka paralajmëruar se ngërçi institucional dhe vonesat në zbatimin e reformave mund të kufizojnë aftësinë e Kosovës për të përfituar nga mbështetja financiare evropiane.


Në kuadër të Planit të Rritjes, Kosovës i janë vënë në dispozicion 882.6 milionë euro në grante dhe kredi të favorshme deri në fund të vitit 2027, ndërsa disbursimi i fondeve lidhet me përmbushjen e hapave të përcaktuar në Agjendën e Reformave.


Komisioni Evropian ka përcaktuar 111 hapa reformues për Kosovën. Për 13 prej tyre, me një vlerë të përbashkët prej 90.8 milionë eurosh, afati i parë për përmbushjen ishte 30 qershori 2026, ndërsa 27 hapa të tjerë, me vlerë 165.9 milionë euro, kanë afat deri në fund të dhjetorit.


Edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar ka vlerësuar se zgjatja e ngërçit politik ka kufizuar përparimin e Kosovës në zbatimin e agjendës së reformave të Planit të Rritjes dhe në sigurimin e qasjes në financime të jashtme.


Buirmi: Ballkan Web


Më të lexuarat