Kursi i Euros e mbyll javën në rënie dhe me një minimum të ri pranë 92.5 lekëve
Euro e mbylli javën në rënie, ndërsa forcimi i Lekut vijon të thellohet gjatë sezonit veror.
Kursi i këmbimit Euro-Lek e mbylli javën në rënie, duke shënuar një tjetër rekord historik. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, monedha europiane u këmbye të premten me 92.53 lekë, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë. Që nga fillimi i vitit, kursi Euro/Lek ka rënë me 4.4%, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë rënia arrin në 4.8%, duke treguar një përshpejtim të forcimit të Lekut gjatë muajve të fundit.
Tendenca rënëse e Euros nisi që në tremujorin e parë, në një periudhë kur historikisht kursi nuk karakterizohet nga lëvizje të tilla, dhe u thellua më tej gjatë sezonit veror. Agjentët e këmbimit vlerësojnë se oferta e valutës në treg vazhdon të jetë e lartë, e ndikuar kryesisht nga prurjet e turistëve.
Këmbimet valutore arritën rekord në tremujorin e dytë
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se vëllimi i tregtimit valutor në tregun e brendshëm arriti një rekord të ri historik në tremujorin e dytë. Vlera e këmbimeve valutore ishte gati 4.5 miliardë euro, rreth 30% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Volumi tejkaloi madje edhe nivelet e regjistruara në tremujorin e tretë të vitit të kaluar, periudhë që zakonisht karakterizohet nga aktiviteti më i lartë sezonal në tregun valutor.
Deficiti i llogarisë korrente u tkurr, investimet e huaja u rritën
Edhe të dhënat e Bilancit të Pagesave tregojnë një ofertë të lartë valutore. Në tremujorin e parë, deficiti i llogarisë korrente u tkurr në 228 milionë euro, me rënie 28% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në të njëjtën kohë, investimet e huaja direkte arritën në 404 milionë euro, rekord historik për këtë periudhë të vitit dhe 11.6% më shumë në terma vjetorë.
Banka e Shqipërisë vlerëson se rritja e volumeve të këmbimit valutor dhe forcimi i vazhdueshëm i Lekut mbeten të lidhura ngushtë me ecurinë e Bilancit të Pagesave. Analiza e të dhënave të tregut valutor dhe e flukseve të jashtme deri në tremujorin e parë rikonfirmon lidhjen mes vëllimeve të tregtimit të valutës dhe shkëmbimeve të mallrave e shërbimeve me jashtë.