Secondary Adv

Reformat në energji, ministri Karakaçi: Mundësuan disbursimin e 61 mln eurove fonde nga BE

Masat në sektorin energjetik deri më 30 qershor 2026 mundësojnë disbursimin e 61 milionë eurove nga BE.

Shqipërisë i hapet rruga për disbursimin e 61 milionë eurove nga Bashkimi Europian, pas përmbushjes së një sërë reformash në sektorin e energjisë deri më 30 qershor 2026. Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Enea Karakaçi deklaroi se masat e realizuara në kuadër të Planit të Rritjes dhe Agjendës së Reformave të BE-së kanë sjellë rezultate konkrete, mes të cilave instalimin e mbi 600 MW kapaciteteve të reja të energjisë së rinovueshme, miratimin e ligjit të ri për sektorin e energjisë elektrike dhe masat për uljen e varfërisë energjetike.


Kuadër i ri ligjor dhe mbi 600 MW kapacitete të rinovueshme


“Gjatë kësaj periudhe kemi përmbushur një sërë masash kyçe, duke modernizuar kuadrin ligjor dhe duke e afruar Shqipërinë me standardet e Bashkimit Evropian. Kemi ngritur sistemin e garancive të origjinës për energjinë e rinovueshme, i cili u ofron konsumatorëve më shumë transparencë mbi burimin e energjisë që përdor. Gjithashtu, kemi miratuar rregulla të reja për etiketimin e produkteve me ndikim në konsumin e energjisë, duke i ndihmuar qytetarët të bëjnë zgjedhje më të informuara dhe më efiçente, në përputhje me të gjitha standardet e Bashkimit Evropian”, deklaroi Karakaçi.


Sipas ministrit, një nga hapat kryesorë ishte miratimi i Ligjit të ri për Sektorin e Energjisë Elektrike, që synon forcimin e funksionimit të tregut, rritjen e sigurisë së furnizimit dhe afrimin e Shqipërisë me tregun evropian të energjisë. Gjithashtu është harmonizuar legjislacioni për biokarburantet, janë thjeshtuar procedurat për investimet në energjinë e rinovueshme dhe ka avancuar zbatimi i paketës së integrimit të tregut energjetik me Bashkimin Evropian.


Masa për varfërinë energjetike dhe komunitetet e energjisë


Karakaçi veçoi edhe miratimin e Planit Kombëtar për adresimin e varfërisë energjetike dhe kuadrin ligjor për komunitetet e energjisë. Sipas tij, këto masa krijojnë më shumë mundësi që qytetarët, bizneset dhe pushteti vendor të marrin pjesë aktive në tranzicionin energjetik.


“Po aq domethënës është edhe fakti që ne kishim detyrim për të instaluar 600 mega kapacitete deri më datë 30 qershor 2026, kapacitete të energjisë së rinovueshme. Është fakt që tashmë ky kapacitet është instaluar dhe në Shqipëri kemi mbi 600 mega kapacitete të reja të energjisë së rinovueshme. Kjo dëshmon qartë se reformat po shoqërohen me investime konkrete dhe rezultate të prekshme”, tha ministri.


61 milionë euro për investime dhe zhvillim ekonomik


Sipas Karakaçit, përmbushja e këtyre masave deri më 30 qershor i hap rrugën disbursimit të fondeve në kuadër të Planit të Rritjes dhe Agjendës së Reformave të Bashkimit Evropian. “Miratimi i këtyre masave deri më 30 qershor 2026 i hap rrugën disbursimit të 61 milionë eurove në Buxhetin e Shtetit, në kuadër të Planit të Rritjes dhe Agjendës së Reformave të Bashkimit Evropian. Këto fonde do të mbështesin investimet, zhvillimin ekonomik dhe përshpejtimin e procesit të integrimit evropian”, pohoi ai.


Ministri bëri të ditur se puna do të vijojë për përmbushjen e reformave të mbetura dhe modernizimin e mëtejshëm të sektorit energjetik.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat