Secondary Adv

Gati 32 për qind e shqiptarëve në pasiguri ushqimore, katër herë mbi mesataren europiane

FAO vlerëson se 31.8% e shqiptarëve përballen me pasiguri ushqimore të moderuar ose të rëndë.

Rreth 31.8% e shqiptarëve përballen me pasiguri ushqimore të moderuar ose të rëndë në periudhën 2023-2025, sipas vlerësimeve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO). Ndonëse treguesi ka shënuar një përmirësim të lehtë, ai mbetet shumë më i lartë se në Europë dhe në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.


Në harkun e një viti, treguesi është ulur me 1.2 pikë përqindjeje. Pavarësisht përmirësimit, niveli në Shqipëri është rreth 4.3 herë më i lartë se mesatarja europiane prej 7.4% dhe rreth 5.5 herë mbi mesataren e Europës Jugore, prej 5.8%.


Shqipëria paraqitet gjithashtu shumë më keq se vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Për periudhën 2023-2025, pasiguria ushqimore e moderuar ose e rëndë vlerësohet në 9.2% në Maqedoninë e Veriut, 9% në Malin e Zi, 8.7% në Bosnjë-Hercegovinë dhe 6.7% në Serbi.


Brenda treguesit të përgjithshëm, 8.3% e popullsisë së Shqipërisë klasifikohet në pasiguri të rëndë ushqimore. Kjo lidhet me situata kur familjet mbeten pa ushqim, konsumojnë më pak sesa u nevojitet, përjetojnë uri ose kalojnë një ditë të plotë pa ngrënë për shkak të mungesës së parave apo burimeve të tjera.


Përmirësohen treguesit te fëmijët, rritet obeziteti te të rriturit

Treguesit për fëmijët kanë shënuar përmirësim. Përqindja e fëmijëve nën pesë vjeç me zhvillim të vonuar fizik ra nga 16.5% në vitin 2012 në 7.4% në vitin 2024. Edhe mbipesha te fëmijët u reduktua nga 20.9% në 16.7%.


Në kahun e kundërt ka lëvizur obeziteti te të rriturit. Në vitin 2024, ai prekte 24.1% të popullsisë mbi 18 vjeç, nga 17.8% në vitin 2012. Numri i të rriturve obezë vlerësohej në rreth 500 mijë. Edhe anemia te gratë e moshës 15-49 vjeç është përkeqësuar, duke u rritur nga 20.1% në vitin 2012 në 24.7% në vitin 2023.


Dieta e shqiptarëve 70 për qind më e shtrenjtë se në vitin 2017

Në vitin 2025, kostoja minimale e një diete të shëndetshme në Shqipëri arriti në 5.16 dollarë ndërkombëtarë, sipas barazisë së fuqisë blerëse, për person në ditë. Kostoja është rritur nga 3.04 dollarë në vitin 2017, duke u shtrenjtuar me rreth 70% deri në vitin 2025, sipas raportit më të fundit “Gjendja e Sigurisë Ushqimore dhe Ushqyerjes në Botë 2026”.


Dieta e shëndetshme në Shqipëri rezulton rreth 30% më e shtrenjtë se mesatarja europiane prej 3.97 dollarësh dhe 12% mbi mesataren e Europës Jugore prej 4.62 dollarësh. Sipas metodologjisë së FAO-s, vlera prej 5.16 dollarësh përfaqëson koston minimale ditore të një diete të shëndetshme për një person në Shqipëri. Ajo llogaritet duke zgjedhur ushqimet më të lira që sigurojnë energjinë dhe larminë e nevojshme ushqimore dhe tregon pragun minimal ekonomik për një ushqyerje të ekuilibruar.


Pavarësisht shtrenjtimit të dietës, përqindja e shqiptarëve që nuk mund ta përballojnë financiarisht një dietë të shëndetshme ka rënë ndjeshëm. Në vitin 2025, ajo vlerësohej në 11.9% të popullsisë.


Burimi: Monitor


Më të lexuarat