Secondary Adv

Ujësjellësit marrin licencat, por nuk kontrollohen: KLSH evidenton mangësi te ERRU

KLSH konstaton se ERRU nuk ka kryer kontrollet ligjore për respektimin e kushteve të licencave nga ujësjellësit.

Enti Rregullator i Ujit (ERRU) nuk ka kryer kontrollet dhe inspektimet që i kërkon ligji për të verifikuar nëse operatorët e ujësjellës-kanalizimeve respektojnë kushtet e licencave, ndërsa edhe vetë procesi i licencimit dhe rinovimit rezulton në disa raste i mbështetur në vlerësime kryesisht deklarative. Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) vlerëson se këto mangësi dobësojnë një nga instrumentet kryesore që rregullatori ka për të kushtëzuar përmirësimin e performancës së ujësjellësve.


Mangësi që në procesin e dhënies dhe rinovimit të licencave

Problematikat, sipas auditimit, nisin që në momentin e dhënies ose rinovimit të licencës. Në rastet e UK Korçë, UK Vlorë dhe UK Vorë, KLSH konstatoi se vlerësimi i aftësive tekniko-profesionale, kapacitetit financiar, përvojës dhe mbrojtjes së konsumatorëve nuk shoqërohej me tregues të qartë dhe dokumente të verifikueshme.


Për rinovimet mungonte gjithashtu një vlerësim i dokumentuar i performancës historike të operatorit, ndërsa “aftësia financiare” nuk konkretizohej me elemente që të mundësonin kontrollin e vendimmarrjes. Auditimi evidentoi edhe paqartësi mes rasteve të trajtuara si “licencim” dhe “rinovim”, si dhe mangësi në verifikimin real të kompetencave të drejtuesve.


ERRU nuk ka kryer kontrollet dhe inspektimet e kërkuara nga ligji

Boshllëku më i rëndësishëm, sipas KLSH-së, shfaqet pas dhënies së licencës. Auditimi konstaton se ERRU nuk ka ushtruar kompetencën dhe detyrimin ligjor për të kryer kontrolle dhe inspektime mbi respektimin e kushteve të licencës. Edhe monitorimi që kryhet nuk dokumentohet në mënyrë sistematike dhe mungon lidhja e qartë mes raporteve periodike të operatorëve, vlerësimit formal të përmbushjes së kushteve dhe masave që duhet të marrë rregullatori kur performanca nuk është në nivelin e kërkuar.


Në këtë mënyrë, sipas KLSH-së, licenca rrezikon të mbetet më shumë një akt formal sesa një instrument rregullator i lidhur me performancën. Problemi ka rëndësi të drejtpërdrejtë për sektorin, pasi licenca nuk duhet vetëm të lejojë një shoqëri të ushtrojë aktivitetin, por edhe t'i japë ERRU-së mundësinë ta kushtëzojë atë me standarde konkrete të shërbimit dhe të ndërhyjë kur këto standarde nuk përmbushen.


Audituesit vlerësojnë se procesi aktual krijon rrezikun që vendimet për licencat të bazohen më shumë në deklarata sesa në prova konkrete të aftësive dhe performancës së operatorëve.


KLSH kërkon monitorim dhe inspektime të rregullta

KLSH kërkon që ERRU të krijojë një sistem të dokumentuar monitorimi për çdo licencë, me raportime periodike dhe vlerësime vjetore të përputhshmërisë, si dhe të planifikojë inspektime të rregullta. Rezultatet e kontrolleve duhet të lidhen drejtpërdrejt me vendimmarrjen e rregullatorit, duke përfshirë vendosjen e kushteve, masave administrative apo rishikimin e licencës kur operatori nuk përmbush detyrimet.

Burimi: ekofin.al


Më të lexuarat