Mbi 32 mijë të huaj me leje qëndrimi në Shqipëri, 55 për qind e tyre për të punuar
Në fund të vitit 2025, të huajt me leje qëndrimi arritën në 32,163, me rritje 46.6 për qind brenda një viti.
Deri në fund të vitit 2025, numri i të huajve me leje qëndrimi në Shqipëri arriti në 32,163 shtetas. Krahasuar me vitin paraardhës, numri i shtetasve të huaj u rrit me 46.6%. Të dhënat për lejet e qëndrimit të të huajve janë publikuar nga INSTAT.
Sipas të dhënave, shtetasit e huaj nga Europa të pajisur me leje qëndrimi përbëjnë pjesën më të madhe të të huajve. Numri i tyre deri në fund të vitit 2025 arriti në 17,022 persona, duke përbërë 52.9% të totalit. Numri i europianëve shënoi një rritje prej 18.5% krahasuar me vitin 2024. Edhe shtetasit nga Azia shënuan rritje të ndjeshme, me 117.6% krahasuar me vitin 2024, duke arritur në 9,891 persona. Numri i shtetasve nga Amerika, Afrika dhe Oqeania arriti në 5,250 persona, me rritje prej 73.4% krahasuar me një vit më parë.
Punësimi, arsyeja kryesore e qëndrimit
Punësimi mbetet arsyeja kryesore e qëndrimit të shtetasve të huaj në Shqipëri, me 55.1% të lejeve të qëndrimit. Pas tij renditet bashkimi familjar, me 19.8% të lejeve, ndërsa qëllimet humanitare përbëjnë 7.9% të totalit dhe studimet 3.1%.
Gjatë vitit 2025 vihet re një rritje e lartë e aplikimeve të reja nga shtetasit e Indisë dhe Filipineve. Në total, numri i aplikimeve për leje qëndrimi në Shqipëri shënoi rritje prej 43.5% krahasuar me vitin 2024, ndërsa shtetasit nga India dhe Filipinet përbënin 26.6% të aplikimeve.
Rritja e lejeve të qëndrimit për shtetasit nga Filipinet dhe India ndjek tendencën e kërkesës në rritje të bizneseve për punësimin e këtyre shtetasve, veçanërisht në sektorët e shërbimeve dhe akomodimit, përfshirë pozicione si kamarierë dhe punonjës pastrimi, si dhe për punë në shtëpi, si kujdestarë fëmijësh dhe të moshuarish.
Po ashtu, gjatë vitit 2025 u identifikuan 1,926 të huaj të parregullt, nga 1,540 persona në vitin 2024. Meshkujt përbënin 65% të të huajve me leje qëndrimi, kundrejt 35% femra, ndërsa grupmosha më e përfaqësuar ishte ajo 30-39 vjeç, me 24.5% të totalit.
Kosova dhe Italia kryesojnë, rritje e fortë nga Filipinet dhe India
Në vitin 2025, shtetet me numrin më të madh të të huajve me leje qëndrimi në Shqipëri ishin Kosova dhe Italia, me përkatësisht 19.5% dhe 12.6% të totalit. Ato ndiqeshin nga India me 9% dhe Filipinet me 7.5%. Krahasuar me vitin 2024, rritja më e madhe e numrit të të huajve u regjistrua për shtetasit nga Filipinet, me 136.1%, dhe India, me 87.6%.
Deri në qershor 2026 numri arriti në gati 39 mijë
Monitor publikoi më herët se numri i shtetasve të huaj të pajisur me leje qëndrimi deri në fund të qershorit 2026 kishte arritur në 38,712, sipas të dhënave të marra nga Policia e Shtetit.
Sipas shtetësisë, numrin më të lartë të lejeve e kishin shtetasit e Kosovës, me 7,302 leje, duke përbërë rreth 19% të totalit të lejeve aktive të qëndrimit. Pas tyre renditeshin shtetasit nga Italia me 4,332 leje, ose 11% të totalit, India me 3,882 leje, ose 10%, Filipinet me 3,638 leje, ose 9.3%, dhe Egjipti me 3,441 leje, ose rreth 8% të lejeve aktive.