Secondary Adv

Kompensimi i naftës te Transporti Publik, Financat të gatshme për 3 muaj shtesë, pritet propozimi

Financat janë të gatshme të shqyrtojnë zgjatjen me tre muaj të kompensimit prej 50 lekësh për litër naftë.

Rritja e çmimit të naftës ka shtuar kostot për operatorët privatë të transportit publik dhe ka rikthyer kërkesën për zgjatjen e skemës së kompensimit. Që prej muajit maj, shoqatat e transportit publik kanë paralajmëruar se kostot e operimit po bëhen të papërballueshme, ndërsa Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas e ka përsëritur dy herë vetëm gjatë gushtit shqetësimin se situata mund të çojë në reduktimin e mjeteve në dispozicion të qytetarëve.


Kërkohet kompensim edhe për qershorin, korrikun dhe gushtin


Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas i ka kërkuar qeverisë që kompensimi i përcaktuar në VKM nr. 341 të zgjatet edhe për tre muaj, duke përfshirë qershorin, korrikun dhe gushtin 2026. Ministria e Financave ia ka përcjellë kërkesën Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për trajtim dhe vlerësim, duke shprehur gatishmërinë për të shqyrtuar çdo propozim që do të paraqitet prej saj.


“Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas, me shkresën datë 06.08.2026, ka paraqitur kërkesën për zgjatjen e afatit të zbatimit të VKM-së nr. 341, datë 13.05.2026, ‘Për përcaktimin e procedurave, të dokumentacionit dhe të masës së kompensimit për shoqëritë e linjave të transportit qytetës, rrethqytetës dhe ndërqytetës në kushtet e situatës së veçantë në tregun hidrokarbur’ edhe për një periudhë shtesë prej 3 (tre) muajsh (Qershor-Korrik-Gusht). Në vijim të sa më sipër, lutem trajtimin e kërkesës dhe vlerësimin e situatës brenda fushës së përgjegjësisë së Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Ministria e Financave shpreh gatishmërinë për të shqyrtuar çdo propozim që mund të paraqitet nga ana juaj”, thuhet në shkresë.


Kjo nuk është hera e parë që Ministria e Financave shprehet e gatshme për të shqyrtuar zgjatjen e kompensimit. Edhe në një shkresë të 21 majit 2026, Financat i kërkuan Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë shqyrtimin e çështjes dhe paraqitjen e propozimeve. I njëjti qëndrim është përsëritur edhe në komunikimin e 20 gushtit 2026 mes dy ministrive.


Skema aktuale kushton 250 milionë lekë


Vendimi për kompensimin me 50 lekë për litër naftë u miratua në mesin e muajit maj për një periudhë tremujore. Kompensimi llogaritet mbi konsumin e karburantit gjatë marsit, prillit dhe majit 2026, por jo më shumë se sasia e konsumuar nga secila shoqëri gjatë së njëjtës periudhë të vitit 2025.


Efektet financiare të skemës llogariten në 250 milionë lekë, ose rreth 2.6 milionë euro. Prej tyre, 120 milionë lekë përballohen nga fondi rezervë i Buxhetit të Shtetit dhe 130 milionë lekë nga buxheti i Bashkisë së Tiranës. Afati për aplikimet e operatorëve përfundoi më 1 gusht.


Vetëm 25 për qind e operatorëve aplikuan


Pavarësisht kompensimit të miratuar pas rritjes së çmimit të naftës të ndikuar nga konflikti në Lindjen e Mesme, interesi për skemën ka qenë i ulët. Sipas të dhënave të Shoqatës së Transportit Urban dhe Interurban, nga rreth 140 operatorë në të gjithë vendin, vetëm 35 kanë dorëzuar aplikimin, ose rreth 25% e totalit. Prej operatorëve, 110 ushtrojnë aktivitet në linjat ndërqytetëse dhe 30 në transportin urban në Tiranë.


Kryetari i Shoqatës së Transportit Urban dhe Interurban, Dashnor Memaj, ka deklaruar më herët se operatorët më të vegjël, që disponojnë vetëm një ose dy mjete, nuk kanë mundur të aplikojnë për shkak të mungesës së dokumentacionit që provon shpenzimet për karburant.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat