Secondary Adv

Ndërtimi i bazës mekanike të trenave, shpallet fituesi i kontratës 9 mln euro

PROGEEN fiton kontratën për projektimin dhe ndërtimin e bazës së mirëmbajtjes së trenave Tiranë–Durrës–Rinas.

Hekurudha Shqiptare ka shpallur PROGEEN fitues të tenderit për projektimin dhe ndërtimin e bazës mekanike për mirëmbajtjen e trenave në linjën Tiranë–Durrës–Rinas. Sipas njoftimit të publikuar në Agjencinë e Prokurimit Publik, oferta fituese është 890.9 milionë lekë, ose rreth 9 milionë euro, ndërsa fondi limit i procedurës ishte 1 miliard lekë. Oferta fituese përfaqëson 87.4% të fondit limit.


Bazë e re për mirëmbajtjen e trenave elektrikë


Projekti parashikon krijimin e një baze mekanike për mirëmbajtjen dhe shërbimin e mjeteve lëvizëse elektrike EMU që do të operojnë në linjën Durrës–Tiranë–Rinas. Kontrata do të zbatohet sipas modelit Design & Build, ose “me çelësa në dorë”, duke përfshirë projektimin, ndërtimin, furnizimin dhe instalimin e sistemeve, testimin, komisionimin dhe dorëzimin funksional të objektit.


Baza do të përfshijë objektet civile dhe industriale të depos, infrastrukturën hekurudhore të brendshme dhe lidhjen me rrjetin ekzistues, si dhe sistemet e sinjalizimit, telekomunikimit, elektrifikimit, furnizimit me energji, ujë dhe kanalizime. Parashikohen gjithashtu rrugë të brendshme, ndriçim, sisteme sigurie dhe survejimi, si dhe pajisjet e nevojshme për funksionimin e depos.


Repart riparimi, diagnostikim dhe larje trenash


Sipas Termave të Referencës, projekti përfshin një repart shërbimi dhe riparimi për trenat EMU, me linja pa ballast, kanale kontrolli, vinça urë me kapacitet ngritës rreth 30 tonë, pajisje ngritëse dhe zona diagnostikimi. Kompleksi do të ketë edhe pika kontrolli dhe inspektimi, impiant për larjen e trenave me sistem për grumbullimin dhe trajtimin e ujërave, post për kontrollin e lëvizjes së trenave, dhoma teknike për sinjalizimin dhe telekomunikimin, magazina, zyra dhe ambiente teknike e sanitare.


Infrastruktura e depos do të lidhet me rrjetin hekurudhor përmes stacionit Shkozet. Projekti përfshin elektrifikimin e linjave, sinjalizimin, telekomunikimin GSM-R, furnizimin me ujë, kanalizimet dhe trajtimin e ujërave industriale, sistemet kundër zjarrit dhe monitorimin me kamera. Sistemet e depos duhet të integrohen me infrastrukturën dhe projektin e linjës Durrës–Tiranë–Rinas.


Projekti parashikon edhe zgjerimin në të ardhmen


Dokumentacioni e përcakton ndërtimin aktual si fazën e “investimit minimal”, e cila duhet të jetë funksionale dhe e pavarur për operimin e trenave të pasagjerëve në linjën Durrës–Tiranë–Rinas. Megjithatë, projektimi duhet të marrë parasysh edhe mundësinë e zgjerimit të kapaciteteve të depos në fazat e ardhshme.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat