Secondary Adv

Gati 2 mln të huaj hynë në Shqipëri vetëm në korrik, flukset turistike rriten me 7.1 për qind

Shqipëria regjistroi 1.95 milionë hyrje të shtetasve të huaj në korrik, rreth 130 mijë më shumë se një vit më parë.

Shqipëria ka vijuar rritjen e flukseve të shtetasve të huaj edhe në kulmin e sezonit turistik. Sipas të dhënave të INSTAT, gjatë korrikut 2026 në vend hynë 1,955,099 shtetas të huaj, nga 1,825,490 në korrik 2025. Brenda një viti janë regjistruar 129,609 hyrje më shumë, ose një rritje prej 7.1%. Statistikat matin hyrjet në pikat kufitare dhe jo numrin e individëve unikë, ndaj një person që hyn disa herë në Shqipëri numërohet për çdo hyrje.


Pjesa dërrmuese e fluksit vijon të vijë nga Evropa, me 1.83 milionë hyrje në korrik 2026, kundrejt 1.73 milionë një vit më parë. Evropa Jugore kryeson me rreth 1.18 milionë hyrje, ndërsa Evropa Qendrore/Lindore shënoi rritje nga 174 mijë në mbi 231 mijë. Sipas INSTAT, 99% e hyrjeve të të huajve ishin për qëllime personale, kategori që u rrit me 7.3%, ndërsa hyrjet për biznes dhe qëllime profesionale ranë me 8.9%.


Mbi 7 milionë hyrje të të huajve në shtatë muaj


Për periudhën janar–korrik 2026, Shqipëria regjistroi 7,014,168 hyrje të shtetasve të huaj, nga 6,587,138 në të njëjtën periudhë të vitit 2025. Diferenca është rreth 427 mijë hyrje, ose 6.5% më shumë në terma vjetorë. Nga Evropa u regjistruan rreth 6.6 milionë hyrje, ku Evropa Jugore përfaqëson mbi 4.72 milionë, ndërsa Evropa Qendrore/Lindore u rrit nga rreth 466 mijë në mbi 606 mijë hyrje.


Shifrat tregojnë se Shqipëria po hyn në pjesën e fundit të sezonit veror me flukse më të larta se vitin e kaluar. Vetëm gjatë korrikut, shtetasit e huaj përbënin rreth 69% të të gjitha hyrjeve në territorin shqiptar.


Rriten edhe udhëtimet e shqiptarëve jashtë vendit


Në korrik 2026 dolën nga Shqipëria 790,261 shtetas shqiptarë, krahasuar me 782,849 në korrik 2025, ose 0.9% më shumë. Për periudhën janar–korrik, daljet arritën në 4,982,078, nga 4,771,188 një vit më parë, duke shënuar një rritje prej rreth 211 mijë daljesh ose 4.4%.


Në total, gjatë korrikut 2026 në Shqipëri hynë 2.83 milionë shtetas shqiptarë dhe të huaj, 6.1% më shumë se një vit më parë, ndërsa dolën 2.66 milionë persona, me rritje prej 3.3%. Të dhënat e INSTAT janë paraprake dhe bazohen në informacionin administrativ të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ndërsa hyrjet dhe daljet përfaqësojnë kalime kufitare dhe jo domosdoshmërisht numër unik turistësh apo udhëtarësh.

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat