Transport publik elektrik në Berat, FSHZH hap tenderin 276 mln lekë
Berati synon transport publik elektrik me autobusë të rinj, stacione moderne dhe sisteme inteligjente.
Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka hapur tenderin për ngritjen e sistemit të integruar të transportit publik elektrik dhe inteligjent në Berat, me fond limit 276,191,667 lekë pa TVSH, ose rreth 2.97 milionë euro. Financimi është parashikuar për periudhën 2026–2028, kontrata do të ketë afat zbatimi 9 muaj, ndërsa ofertat do të pranohen deri më 25 shtator 2026.
Projekti synon kalimin nga autobusët me naftë te mjetet elektrike, së bashku me ngritjen e stacioneve të reja, infrastrukturës së karikimit dhe sistemeve inteligjente për menaxhimin e flotës.
Faza e parë me 7 autobusë elektrikë dhe dy linja
Analiza e transportit publik e hartuar për Bashkinë e Beratit e ndan projektin në dy faza. Faza e parë, e konceptuar si pilot, përfshin linjën L1 Kombinat–Uznova, që mbulon rreth 35–40% të udhëtimeve të rrjetit dhe rreth 18 mijë banorë, si dhe linjën turistike L6, që lidh zonën e Kalasë me Goricën.
Për këtë fazë parashikohen 7 autobusë elektrikë, konkretisht katër autobusë standardë 12 metra për L1 dhe tre minibusë 6 metra për L6. Projekti përfshin edhe 19 stacione pritjeje të kategorive të ndryshme dhe infrastrukturën e karikimit elektrik. Linja Kombinat–Uznova do të jetë 8 kilometra e gjatë, me 12 stacione dhe frekuencë prej 10
minutash në oraret e pikut, ndërsa kërkesa llogaritet në rreth 600 pasagjerë në orë.
Linja turistike L6 është menduar edhe si burim të ardhurash për sistemin. Duke u mbështetur në një fluks prej rreth 800 mijë turistësh në vit, analiza përllogarit të ardhura prej afërsisht 50 mijë eurosh në vit nga kjo linjë.
Tenderi 1.32 milionë euro nën përllogaritjen e fazës së parë
Analiza e kostos e vlerëson Fazën 1 mesatarisht në 4,297,780 euro, nga të cilat 2.68 milionë euro për 7 autobusët, rreth 274.7 mijë euro për 19 stacionet dhe ekranet e informacionit në kohë reale, 836 mijë euro për karikuesit, qendrën e kontrollit dhe aplikacionin celular, si dhe rreth 507 mijë euro për software-in ITS për pesë vite.
Fondi limit i tenderit është 2,974,280.28 euro, rreth 1.32 milionë euro ose 30.8% më pak se vlera mesatare e parashikuar për fazën pilot. Dokumentet e shqyrtuara nuk sqarojnë drejtpërdrejt nëse diferenca lidhet me rishikimin e çmimeve, reduktimin e ndonjë komponenti apo një strukturë tjetër financimi.
Projekti i plotë parashikon 18 autobusë dhe 65 stacione
Tenderi aktual është pjesë e një projekti më të gjerë që, sipas analizës së Bashkisë Berat, deri në vitin 2030 parashikon 6 linja, 18 autobusë elektrikë dhe 65 stacione pritjeje. Objektivi është që transporti publik të mbulojë rreth 95% të popullsisë urbane. Kostoja mesatare e të dyja fazave përllogaritet në 10,572,524 euro, ndërsa faza e dytë përfshin 11 autobusë të tjerë, katër linja të reja dhe 46 stacione shtesë.
Sistemi aktual funksionon me vetëm 8 autobusë me naftë, me moshë mesatare mbi 15 vjet. Berati ka katër linja urbane dhe 30 stacione fizike, por vetëm katër prej tyre kanë strehë. Numri i pasagjerëve vlerësohet në 110–150 mijë në vit, ndërsa flota konsumon rreth 191 mijë litra naftë në vit. Analiza evidenton gjithashtu se Velabishti, me rreth 6,800 banorë, nuk ka shërbim të drejtpërdrejtë, ndërsa Otllaku, me rreth 10,500 banorë, ka akses minimal. Këto zona parashikohet të përfshihen kryesisht në fazën e dytë.