Secondary Adv

Projekti i ri për turizmin, FSHZH kërkon kompani për studimin e fizibilitetit

FSHZH kërkon kompani konsulence për studimin e fizibilitetit të projektit të ri për zhvillimin e turizmit.

Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka hapur procedurën për përzgjedhjen e një kompanie konsulence që do të hartojë studimin e fizibilitetit për “Projektin për Zhvillimin e Ekosistemit të Turizmit në Shqipëri”, një nismë që po përgatitet nga qeveria shqiptare me mbështetjen e Bankës Botërore. Sipas termave të referencës, studimi do të mbulojë aspektet teknike, institucionale, financiare dhe ekonomike, kostot, ndikimet mjedisore dhe sociale, vlerësimin e riskut dhe qëndrueshmërinë e investimeve të propozuara.


Projekti synon të mbështesë zbatimin e Strategjisë Kombëtare të Turizmit 2024–2030, me fokus rritjen e konkurrueshmërisë, qëndrueshmërisë dhe cilësisë së shërbimeve në destinacionet turistike. Ai do të ndërtojë mbi eksperiencën e Projektit për Zhvillimin e Integruar Urban dhe Turistik, i cili u mbyll në qershor 2026.


Investime, biznese dhe zhvillim i destinacioneve


Koncepti përfshin forcimin e menaxhimit të destinacioneve, investime të përzgjedhura në infrastrukturë dhe asete turistike, mbështetje për konkurrueshmërinë e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, zhvillimin e aftësive të fuqisë punëtore dhe rritjen e koordinimit mes sektorit publik dhe privat.


Në fokusin fillestar gjeografik pritet të jetë klasteri i Jugut të Brendshëm, ndërsa zona të tjera do të përcaktohen gjatë përgatitjes së projektit, në varësi të gatishmërisë së investimeve, ndikimit të pritshëm dhe kufijve të financimit. Modeli synon gjithashtu të lidhë qendrat turistike të konsoliduara me zonat rurale, asetet kulturore dhe natyrore, agroturizmin, fshatrat dhe eksperiencat e turizmit në natyrë.


FSHZH pritet të jetë agjencia kryesore zbatuese


FSHZH pritet të jetë agjencia kryesore zbatuese e projektit, ndërsa Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit do të ketë rolin e institucionit kryesor partner për orientimin strategjik. Në proces do të përfshihen gjithashtu Ministria e Financave, Agjencia Kombëtare e Turizmit, AIDA, institucionet e punësimit dhe aftësive, pushteti vendor dhe aktorë të tjerë të sektorit.


Kompania që do të përzgjidhet duhet të ofrojë ekspertizë në zhvillimin e turizmit dhe menaxhimin e destinacioneve, analizën ekonomike dhe financiare, planifikimin e infrastrukturës dhe territorit, zhvillimin institucional, çështjet mjedisore dhe sociale, si dhe përgatitjen e studimeve të fizibilitetit.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat