Buxheti mblodhi 51 mld lekë më shumë në 7-mujor, një e treta nga lejet e ndërtimit
Të ardhurat buxhetore arritën 484.6 miliardë lekë në 7-mujor, me rritje 11.8 për qind nga një vit më parë.
Të ardhurat totale për periudhën janar–korrik 2026 arritën në rreth 484.6 miliardë lekë, duke u rritur me 11.8%, ose rreth 51 miliardë lekë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas të dhënave të Ministrisë së Financave. Nga rritja, 20.8 miliardë lekë erdhën nga Tatimet dhe Doganat, 13.9 miliardë lekë nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, ndërsa rreth 16 miliardë lekë, ose afërsisht një e treta, nga taksat vendore, kryesisht nga taksa e ndikimit në infrastrukturë për ndërtimet e reja.
Rritja e të ardhurave nga kjo taksë lidhet me nivelin e lartë të lejeve të ndërtimit. Të dhënat për gjashtëmujorin e parë të vitit 2026 treguan se nga taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja u arkëtuan 18.3 miliardë lekë në të gjithë vendin, ose tre herë më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë, me një rritje prej 200%.
Të ardhurat nga Tatimet dhe Doganat
Të ardhurat totale shënuan një realizim prej 58.9% të planit vjetor sipas buxhetit fillestar dhe 57.5% sipas Aktit Normativ nr. 2. Të ardhurat e arkëtuara nga Tatimet dhe Doganat arritën në 307.9 miliardë lekë, 20.8 miliardë lekë ose 7.3% më shumë se në shtatëmujorin e vitit 2025.
Të ardhurat tatimore të mbledhura nga administrata tatimore arritën në 165.9 miliardë lekë, 15.7 miliardë lekë ose 10.4% më shumë se një vit më parë dhe 1.2 miliardë lekë mbi planin e shtatëmujorit. TVSH-ja neto në vend solli 49 miliardë lekë, me rritje 25.1%, ndërsa rimbursimet e dhëna gjatë periudhës arritën në 8.8 miliardë lekë.
Të ardhurat nga tatimi mbi fitimin arritën në 34.6 miliardë lekë, me realizim 98.3% të planit. Tatimi mbi të ardhurat personale solli 56.6 miliardë lekë, ose 17.3% më shumë se në shtatëmujorin 2025 dhe 471 milionë lekë mbi plan. Nga taksat nacionale u mblodhën 25.6 miliardë lekë, me realizim 100.2% të planit.
Sigurimet dhe të ardhurat doganore
Të ardhurat nga Fondet Speciale, që përfshijnë sigurimet shoqërore dhe shëndetësore të mbledhura nga Administrata Tatimore, ISSH dhe FSDKSH, arritën në 117.6 miliardë lekë, 13.9 miliardë lekë ose 13.4% më shumë se një vit më parë, duke realizuar 100.3% të planit.
Administrata doganore mblodhi 142 miliardë lekë, 5.2 miliardë lekë ose 3.8% më shumë se në shtatëmujorin 2025. TVSH-ja në import arriti në 94.4 miliardë lekë, me rritje 3.6%, ndërsa të ardhurat nga akciza ishin 40.5 miliardë lekë, ose 3.9% më shumë. Renta minerare në eksport solli 1.1 miliardë lekë, ndërsa taksat doganore arritën në 6 miliardë lekë, me rritje 8.8%.
Shpenzimet arrijnë në 433.2 miliardë lekë
Buxheti vijoi të ishte në suficit, me të ardhura më të larta se shpenzimet. Shpenzimet e përgjithshme publike për janar–korrik 2026 arritën në rreth 433.2 miliardë lekë, me realizim 98.2% të planit të periudhës dhe rritje 7.8%, ose rreth 31.3 miliardë lekë, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025. Në raport me planin vjetor, shpenzimet u realizuan në masën 48.8% sipas Buxhetit Fillestar dhe 47.8% sipas Aktit Normativ nr. 2, datë 30.06.2026.
Shpenzimet kapitale arritën në 49.1 miliardë lekë, me realizim 96.3% të planit dhe rritje 10.1%, ose rreth 4.5 miliardë lekë më shumë se një vit më parë. Shpenzimet korente arritën në rreth 384.1 miliardë lekë, me realizim 98.5% të planit dhe rritje 7.5%, ose rreth 26.8 miliardë lekë më shumë krahasuar me shtatëmujorin e vitit 2025.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






k.jpg)