Hapen më 26 Gusht aplikimet për kredi shtëpie me 0 për qind interes për 300 punonjës
300 punonjës të administratës publike do të kenë mundësi të përfitojnë kredi me 0% interes për blerjen e një banese.
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit ka njoftuar hapjen e thirrjes për 300 kredi me 0% interes për blerjen e një apartamenti nga punonjësit e administratës publike. Aplikimet do të hapen më 27 gusht 2026 dhe do të qëndrojnë të hapura deri më 25 shtator 2026, ndërsa procedura do të zhvillohet nëpërmjet e-Albania.
Si ndahen 300 kuotat
Në skemë përfshihen punonjësit e pesë institucioneve. Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Arsimit dhe Ministria e Punëve të Brendshme do të kenë nga 70 kuota secila, ndërsa Policia e Burgjeve/Ministria e Drejtësisë do të ketë 20 kuota.
Financimi do të përcaktohet sipas çmimit të referencës dhe sipërfaqes së banesës që i takon familjes bazuar në certifikatën familjare.
Kriteret për përfitimin e kredisë
Për të përfituar nga programi, aplikanti duhet të jetë i punësuar në administratën publike sipas përcaktimeve të ligjit “Për strehimin social”. Ai nuk duhet të ketë banesë në pronësi ose në proces legalizimi, përveç rasteve kur banesa që zotëron është nën normat e strehimit.
Aplikanti gjithashtu nuk duhet të zotërojë pasuri të paluajtshme apo të luajtshme me vlerë mbi gjysmën e vlerës së banesës që do të blihet me kredi të lehtësuar dhe nuk duhet të jetë përfitues i programeve të tjera të strehimit social.