KLSH: 3.2 milionë euro efekte negative në buxhet nga auditimet
KLSH evidentoi 314.9 milionë lekë efekte negative në buxhet nga auditimet e katër muajve të parë të 2026-s.
Kontrolli i Lartë i Shtetit evidentoi rreth 314.9 milionë lekë, ose mbi 3.2 milionë euro, efekte negative në buxhetin e shtetit nga auditimet e përfunduara gjatë periudhës janar-prill 2026. Problematikat lidhen me zbatimin e kontratave publike, administrimin e të ardhurave, pagesat për vendime gjyqësore dhe shpenzimet për paga e operacione. Sipas Buletinit Statistikor të KLSH-së, për gjetjet me efekte financiare janë dhënë 58 rekomandime.
84.3 milionë lekë dëm ekonomik
Nga vlera totale prej 314.8 milionë lekësh, 84.3 milionë lekë janë klasifikuar si dëm ekonomik dhe 230.5 milionë lekë si menaxhim joefektiv i fondeve. I gjithë dëmi ekonomik i identifikuar është konstatuar në fushën e shpenzimeve. Rreth 81.4 milionë lekë, ose 97% e dëmit ekonomik, lidhen me shkelje gjatë procedurave të prokurimit publik dhe zbatimit të punimeve apo kontratave.
KLSH evidenton mes problematikave likuidime për punime të pakryera, mosllogaritjen e kostove përfundimtare të shërbimeve të projektimit dhe punime që nuk përputheshin me specifikimet teknike. Mangësi janë konstatuar edhe në dokumentacionin e tenderëve, specifikimet teknike dhe kriteret e vlerësimit, llogaritjen e vlerës së kontratës, përzgjedhjen e procedurave, shqyrtimin e ofertave, shpalljen e fituesve dhe zbatimin e kontratave.
230.5 milionë lekë nga menaxhimi joefektiv
Nga 230.5 milionë lekë të klasifikuara si menaxhim joefektiv, 126.2 milionë lekë lidhen me të ardhurat, kryesisht për moszbatim të detyrimeve nga lejet mjedisore. Prej tyre, 93.6 milionë lekë janë evidentuar te Agjencia Kombëtare e Mjedisit dhe agjencitë rajonale, ndërsa 32.6 milionë lekë te Universiteti “Aleksandër Moisiu”.
Efektet negative në shpenzime arritën në 188.6 milionë lekë, nga të cilat 84.3 milionë lekë dëm ekonomik dhe 104.2 milionë lekë menaxhim joefektiv. Brenda kësaj të fundit, 59.9 milionë lekë lidhen me ekzekutimin e vendimeve gjyqësore përmes përmbaruesve privatë.
Institucionet me efektet më të larta
Sipas KLSH-së, ish-Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit rezulton me 62.2 milionë lekë dëm ekonomik dhe 56.5 milionë lekë menaxhim joefektiv, ndërsa projekti për rikonstruksionin e rrugës në Tragjas me 15 milionë lekë dëm ekonomik. Universiteti “Aleksandër Moisiu” rezulton me 4.1 milionë lekë dëm ekonomik, 46.3 milionë lekë menaxhim joefektiv në shpenzime dhe 32.6 milionë lekë efekte negative në të ardhura.
Në katërmujorin e parë të vitit 2026, KLSH përfundoi 14 auditime në 34 subjekte dhe dha gjithsej 225 rekomandime. Të 58 rekomandimet me efekte financiare rezultojnë të pranuara nga subjektet e audituara.