Secondary Adv

SHBA planifikon revokim masiv të vizave për azilkërkuesit, mund të preken 200 mijë persona

SHBA planifikon të revokojë vizat B1 dhe B2 të të huajve që kanë aplikuar ose po kërkojnë azil.

Administrata e Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, po planifikon të revokojë vizat për biznes dhe turizëm të shtetasve të huaj që kanë aplikuar ose aktualisht po kërkojnë azil në SHBA, bëri të ditur Departamenti i Shtetit. Ende nuk është përcaktuar numri i vizave që do të preken, por sipas vlerësimeve të Associated Press, bazuar në dokumente të Departamentit të Shtetit, ai mund të arrijë deri në 200,000.



Nëse zbatohet në këtë shkallë, masa do të përbënte revokimin më masiv të vizave në historinë e SHBA-së dhe mund të prekë shtetas nga vende të ndryshme të botës, përfshirë Shqipërinë.


Departamenti i Shtetit ende nuk ka bërë një njoftim publik për masën, por revokimet pritet të njoftohen gjatë javëve të ardhshme. Bëhet fjalë për vizat B1 dhe B2 të lëshuara gjatë periudhës 2016–2026 për persona që kanë kërkuar ose po kërkojnë aktualisht azil. Këto viza përdoren përgjithësisht për udhëtime pune, turizëm, vizita familjare ose trajtim mjekësor.


Departamenti i Shtetit bashkëpunon me DHS

“Ne po bashkëpunojmë me Departamentin e Sigurisë Kombëtare (DHS) për të identifikuar dhe revokuar vizat e shtetasve të huaj që kanë ardhur në Shtetet e Bashkuara duke deklaruar se janë vizitorë afatshkurtër, por më pas kanë paraqitur kërkesë për azil për të qëndruar këtu në mënyrë të përhershme”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Tommy Pigott.


Pigott nuk dha një numër të saktë të personave që mund të preken, duke thënë se ai “mbetet dinamik dhe mund të ndryshojë në mënyrë të vazhdueshme”. “Këto lloje vizash lëshohen me kuptimin e qartë se ato janë për ata që synojnë të kthehen në shtëpi”, tha ai. Personave që aplikojnë për vizat afatshkurtra B1 dhe B2 u kërkohet të zotohen se nuk do të aplikojnë për azil në SHBA.


Revokimi nuk nënkupton domosdoshmërisht dëbim të menjëhershëm

Zyrtarët amerikanë thanë se revokimi i vizave nuk do të sillte domosdoshmërisht dëbimin e menjëhershëm. Sipas zyrtarëve të cituar nga Associated Press, shumica e personave me kërkesa për azil ende në shqyrtim do të rikategorizohen dhe do të humbasin statusin e tyre si udhëtarë për qëllime biznesi ose turizmi.


Zëvendëssekretari i Shtetit, Christopher Landau, kritikoi përdorimin e vizave turistike dhe të biznesit si rrugë për paraqitjen e kërkesave për azil. “Njerëzit në SHBA dhe në të gjithë botën janë ngopur me kërkesat e rreme për azil. Azili nuk është menduar të jetë një rrugë anësore për të shmangur ligjin e imigracionit”, shkroi ai.


Mbi 175 mijë viza të revokuara më herët

Sipas të dhënave të Departamentit të Shtetit, në vitin 2024 pjesa më e madhe e vizave të biznesit dhe turizmit iu lëshuan qytetarëve nga Brazili, me më shumë se 1.1 milion viza B1 dhe B2, si dhe shtetasve të Kinës kontinentale, Indisë dhe Pakistanit. Pak më shumë se 32,300 viza iu lëshuan vizitorëve nga Britania e Madhe dhe Irlanda e Veriut.


Më herët këtë muaj, Departamenti i Shtetit njoftoi se kishte revokuar më shumë se 175,000 viza të shtetasve të huaj, të cilët sipas tij “shkelën kushtet e vizave të tyre, kryen krime, bënë thirrje për dhunë kundër qytetarëve amerikanë, mashtruan amerikanët, abuzuan me sistemin tonë të imigracionit ose rrezikuan sigurinë kombëtare”.


Politikat e emigracionit përballen edhe me sfida gjyqësore

Trump ka ndërmarrë një fushatë të gjerë dëbimesh dhe ka ashpërsuar politikat e emigracionit. Masat kanë përfshirë anulimin e vizave dhe lejeve të qëndrimit, të njohura si “Green Card”, si dhe refuzimin e aplikimeve për një sërë arsyesh, mes tyre qëndrimet politike dhe pjesëmarrja në protestat pro-palestineze kundër ofensivës së Izraelit, aleatit të SHBA-së, në Gaza. Trump argumenton se këto masa synojnë të përmirësojnë sigurinë e brendshme të Shteteve të Bashkuara.


Megjithatë, disa prej politikave të administratës së tij për emigracionin janë përballur me pengesa në gjykata. Të premten, një gjykatës amerikan rrëzoi një politikë të administratës Trump që pezullonte lëshimin e vizave emigruese për aplikantët nga 75 vende. Sipas gjykatësit, politika tejkalonte kompetencat që ligji i jep Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio.

Burimi: Shqiptarja


Më të lexuarat