Importi i karburanteve u rrit në 75.7 mijë ton në korrik, ndërsa cigaret dhe kafeja shënuan rënie
Importi i karburanteve u rrit në korrik, ndërsa cigaret dhe kafeja shënuan rënie krahasuar me një vit më parë.
Kulmi i sezonit turistik ka sjellë rritje të importit dhe konsumit të karburanteve, e lidhur me lëvizjet e shtuara gjatë periudhës së pushimeve, ardhjen e emigrantëve dhe fluksin e turistëve që vizitojnë Shqipërinë. Të dhënat e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave tregojnë se, pas disa muajsh rënie të vazhdueshme për shkak të rritjes së çmimit të naftës, korriku solli një ndryshim të tendencës.
Gjatë korrikut 2026 u zhdoganuan 75.7 mijë ton karburante, nga 70.9 mijë ton në korrik 2025, me një rritje prej 4,861 tonësh. Megjithatë, kjo rritje nuk ka kompensuar ecurinë e muajve të mëparshëm. Në periudhën janar-korrik 2026 janë importuar 407.9 mijë ton karburante, rreth 8,199 ton më pak se në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Çmimet e karburanteve ndikuan konsumin
Për shkak të konfliktit në Lindjen e Mesme, nga muaji mars u regjistrua një rritje e ndjeshme e çmimit të naftës dhe benzinës në vend, duke arritur në nivele rreth 224 lekë për litër. Kjo nxiti vënien në funksion të Bordit të Transparencës për përcaktimin e çmimeve tavan të shitjes me shumicë dhe pakicë. Çmimet u stabilizuan gjatë qershorit dhe korrikut, për t’iu rikthyer sërish rritjes në gusht.
Bien importet e cigareve dhe kafesë
Te mallrat e tjera të akcizës, gjatë korrikut 2026 u regjistrua rënie e importeve të cigareve dhe kafesë, ndërsa birra shënoi një rritje të lehtë. U importuan 328 ton cigare, 75 ton më pak se në korrik 2025, dhe 591 ton kafe, me një rënie prej 242 tonësh krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
Importi i birrës u rrit në 8 mijë ton, nga 7.7 mijë ton në korrik 2025. Ndërkohë, për të gjithë periudhën janar-korrik, importet e cigareve dhe kafesë rezultojnë në rritje të lehtë krahasuar me një vit më parë, ndërsa importi i birrës rezulton në rënie.