Secondary Adv

Hekurudha Vorë-Hani i Hotit, projekti prezantohet në Lezhë: Punimet përfundojnë brenda 2030

Linja 120 kilometra do të elektrifikohet dhe do të lejojë lëvizjen e trenave me shpejtësi deri në 120 km/orë.

Projekti për rikonstruksionin e linjës hekurudhore Vorë-Hani i Hotit është prezantuar në Lezhë përmes një dëgjese publike me komunitetin e zonave ku do të kalojë ky investim. Sipas ekspertëve, projekti do të realizohet mbi gjurmën ekzistuese të hekurudhës, e cila do të rikonstruktohet dhe përshtatet me standardet evropiane. Projekti ka hyrë në fazën e përzgjedhjes së kontraktorit, ndërsa punimet parashikohet të përfundojnë deri në vitin 2030.


“Projekti është në një fazë tjetër, tani do të fillojnë punimet. Traseja e trenit do të jetë i rrethuar me një gardh metalik, stacionet gjithashtu do të kenë rregullime dhe do të jenë të rrethuara. Do të bëhet një rikonstruksion total. Duke qenë se hekurudhua do të jetë elektrike do të kemi një zgjerim të rrugësh”, tha eksperti Dhimitraq Marku.


Linja do të jetë rreth 120 kilometra

Hekurudha Vorë-Hani i Hotit do të ketë një gjatësi prej rreth 120 kilometrash dhe do të jetë tërësisht e elektrifikuar. Trenat do të mund të lëvizin me shpejtësi deri në 120 kilometra në orë, duke mundësuar transportin e udhëtarëve dhe të mallrave përgjatë këtij aksi.


Projekti parashikon ndërtimin dhe rikonstruksionin e 12 stacioneve dhe 12 urave, si dhe një tunel me gjatësi rreth 320 metra. Koha mesatare e udhëtimit nga Vora në Han të Hotit pritet të jetë rreth dy orë.


Investimi arrin në 356 milionë euro

Investimi ka një vlerë totale prej rreth 356 milionë eurosh dhe synon të përmirësojë ndjeshëm transportin hekurudhor, si për udhëtarët ashtu edhe për mallrat. Rikonstruksioni pritet gjithashtu të forcojë lidhjen e Shqipërisë me korridoret rajonale dhe evropiane të transportit.

Burimi: Shqiptarja


Më të lexuarat