Shqipëria do të ketë për herë të parë modele 3D të qyteteve, nis fotografimi nga ajri
Shqipëria nis hartëzimin e ri ajror, që do të krijojë për herë të parë modele 3D të qyteteve.
Për herë të parë, qytetet e Shqipërisë do të kenë modele dhe imazhe 3D të krijuara përmes fotografimit ajror. Projekti ka nisur zyrtarisht nga Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG), në bashkëpunim me Fondin Shqiptar të Zhvillimit (FSHZH), me synim përditësimin e Hartës Bazë të Shqipërisë.
Në fazën e parë do të fotografohen nga ajri 680 kilometra katrorë zona urbane. Sipas ASIG, projekti do të përdorë teknologji të avancuara që mundësojnë krijimin e imazheve dhe hartave shumë të detajuara, duke siguruar të dhëna më të sakta për territorin.
Për herë të parë fotografim ajror oblik
Risia kryesore është përdorimi për herë të parë i fotografimit ajror oblik. Përmes kësaj teknologjie do të krijohen modele dhe imazhe 3D të qyteteve, të njohura si “3D City”, të cilat do të shërbejnë për planifikimin, monitorimin dhe administrimin e zonave urbane.
Sipas ASIG, të dhënat e përftuara do të përdoren për përditësimin e Hartës Bazë të Shqipërisë, si dhe për administrimin e territorit, mjedisit, bujqësisë dhe sektorëve të tjerë që kërkojnë informacion të detajuar gjeohapësinor.