Secondary Adv

Ankimohet në KPP tenderi për studimin e fizibilitetit të menaxhimit të ujërave të shiut në Vlorë

Tenderi për studimin e sistemit të ujërave të shiut në Vlorë është ankimuar në KPP pas vlerësimit të ofertave.

Tenderi për hartimin e studimit të fizibilitetit për përmirësimin dhe zhvillimin e sistemit të menaxhimit të ujërave të shiut në Vlorë është ankimuar në Komisionin e Prokurimit Publik (KPP), pas fazës së vlerësimit të ofertave. Procedura lidhet me studimin që Bashkia Vlorë kërkon të hartojë për sistemin e drenazhimit të qytetit, me synimin për të përgatitur një masterplan dhe një paketë ndërhyrjesh prioritare për menaxhimin e ujërave të shiut.


Do të evidentohen zonat me rrezik përmbytjeje


Sipas termave të referencës, studimi duhet të vlerësojë gjendjen e rrjetit ekzistues, kapacitetet hidraulike të kanaleve, hidrovorit dhe stacioneve të pompimit, si dhe të identifikojë zonat me rrezik përmbytjeje. Dokumenti parashikon gjithashtu ndarjen përfundimtare të ujërave të bardha nga ujërat e zeza dhe disiplinimin e ujërave të shiut në zonën urbane.


Projekti përfshin zhvillimin e një modeli të integruar hidrologjik dhe hidraulik, hartëzimin e pikave të përmbytjeve dhe testimin e skenarëve të reshjeve. Konsulenti duhet të vlerësojë edhe ndikimin e ndryshimeve klimatike dhe të përgatisë projektimin konceptual për ndërhyrjet prioritare, përfshirë vlerësimet paraprake të kostove të investimit dhe operimit.


Rrjeti ekzistues i amortizuar dhe me bllokime


Termat e referencës e përshkruajnë rrjetin ekzistues të kanalizimeve të ujërave të bardha si të amortizuar, me bllokime të pjesshme dhe të plota, kapacitete të reduktuara transportuese dhe ndërprerje të rrjetit në disa nyje. Dokumenti evidenton gjithashtu ndërthurje mes rrjetit të ujërave të shiut dhe atij të ujërave të zeza.


Studimi do të mbulojë një pellg ujëmbledhës prej 960 hektarësh dhe është konceptuar mbi një popullsi aktuale prej rreth 90,000 banorësh.


Studimi parashikohet të përfundojë brenda gjashtë muajve


Afati i parashikuar për realizimin e studimit është gjashtë muaj. Tre muajt e parë janë rezervuar për mbledhjen e të dhënave, analizën hidrologjike dhe modelimin hidraulik, ndërsa fazat pasuese përfshijnë analizën e alternativave, vlerësimin ekonomik dhe mjedisor, si dhe përgatitjen e studimit final.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat