Me territorin bashkohen edhe borxhet, Elbasani merr Cërrikun me detyrime sa 14.8 për qind e buxhetit
Reforma territoriale kalon te bashkitë e reja jo vetëm territorin dhe asetet, por edhe borxhet e detyrimet ekzistuese.
Bashkimi i bashkive në hartën e re administrativo-territoriale, të propozuar nga mazhoranca, nuk do të thotë vetëm kalim territori, popullsie dhe administrate. Të 13 bashkitë që krijohen nga konsolidimi do të trashëgojnë edhe asetet, kontratat, detyrimet financiare dhe detyrimet ndaj të tretëve të të gjitha njësive që bashkohen, duke i futur ato në një bilanc të vetëm.
Projektligji parashikon që bashkia e konsoliduar të jetë “pasardhëse universale” e njësive ekzistuese. Ajo merr të gjitha të drejtat dhe detyrimet, pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme, arkivat, kontratat dhe marrëdhëniet juridike. Edhe detyrimet ndaj kreditorëve apo detyrime të tjera ndaj të tretëve kalojnë të plota te njësia e re. Brenda 90 ditëve nga hyrja në fuqi e ligjit duhet të kryhet inventarizimi i plotë i aseteve, detyrimeve dhe kontratave, i certifikuar nga Ministria e Financave.
Bashkitë me profile të ndryshme financiare futen në një bilanc
Kjo krijon situata ku bashki me profile shumë të ndryshme financiare do të futen në të njëjtin bilanc. Një nga shembujt është bashkimi Klos–Mat. Në vitin 2025, barra e detyrimeve të prapambetura në Klos ishte sa 8.9% e buxhetit, ndërsa në Mat 7.1%. Pas konsolidimit, dokumenti nuk i trajton më veçmas, por shënon se kjo barrë “konsolidohet” në njësinë e re.
Diferenca është shumë më e madhe në rastin e Cërrikut, Belshit dhe Elbasanit. Barra e detyrimeve të prapambetura para bashkimit jepet në 14.8% të buxhetit për Cërrikun, 4.3% për Belshin dhe vetëm 0.3% për Elbasanin. Pas reformës, këto territore do të funksionojnë me një buxhet të përbashkët të Bashkisë Elbasan.
Për Cërrikun, relacioni shkon edhe më tej dhe e evidenton posaçërisht barrën e detyrimeve të prapambetura. Dokumenti parashikon që ajo të konsolidohet dhe të shlyhet sipas një plani të certifikuar nga Ministria e Financave, brenda buxhetit të njësisë së re.
Dimal hyn në bashkimin me Beratin me detyrime sa 18.2% e buxhetit
Një situatë e ngjashme shfaqet në bashkimin Dimal–Poliçan–Berat. Dimal rezulton me detyrime të prapambetura sa 18.2% e buxhetit, Poliçani me 1.7% dhe Berati me 7%. Të tria do të hyjnë në një njësi të vetme financiare pas reformës.
Edhe Maliqi, që propozohet të bashkohet me Korçën, hyn në reformë me barrë detyrimesh të prapambetura prej 8.4% të buxhetit, ndërsa për Korçën treguesi rezulton 0%. Në Libohovë barra është 3.7%, kundrejt vetëm 0.5% në Gjirokastër.
Por reforma nuk nënkupton gjithmonë që qendra më e madhe po merr një bashki me borxhe më të larta. Në disa raste ndodh e kundërta. Në bashkimin Memaliaj–Tepelenë, Memaliaj ka barrë detyrimesh prej 4.7% të buxhetit, ndërsa Tepelena 13.1%. Edhe më e theksuar është tabela për Rrogozhinë–Kavajë, ku raportohen përkatësisht 25% dhe 49.5%.
Detyrimet nuk mund të mblidhen mekanikisht
Këto përqindje tregojnë barrën e detyrimeve të prapambetura në raport me buxhetin e secilës bashki, jo shumën absolute të borxhit. Për këtë arsye, ato nuk mund të mblidhen mekanikisht për të llogaritur detyrimin e bashkisë së re. Pas bashkimit duhet të bëhet inventari financiar dhe buxheti i vitit të parë ndërtohet si konsolidim i buxheteve ekzistuese, thekson relacioni.
Në të njëjtën kohë, reforma vendos edhe një mbrojtje financiare gjatë tranzicionit. Transferta e pakushtëzuar për bashkinë e re do të llogaritet mbi territorin e konsoliduar, por garantohet që ajo të mos jetë më e ulët se shuma e transfertave që merrnin bashkitë përbërëse përpara bashkimit. Investimet dhe kontratat në zbatim do të vijojnë.
Burimi: Ekofin.al
Më të lexuarat






k.jpg)