Booking në lupën e Tatimeve, 100 tatimpagues realizuan 24.9 mln euro të ardhura në tre vite
Tatimet kanë përzgjedhur për verifikim 100 individë dhe subjekte që realizuan 24.9 mln euro përmes Booking.com.
Administrata Tatimore ka përzgjedhur për verifikim 100 tatimpagues, individë dhe subjekte, që kanë realizuar 24.9 milionë euro të ardhura përmes Booking.com gjatë periudhës tetor 2022–dhjetor 2025. Shifra, e publikuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, jep një tregues të përmasave që ka marrë aktiviteti ekonomik i zhvilluar përmes platformave digjitale, veçanërisht në tregun e akomodimit.
Vlera prej 24.9 milionë eurosh nuk përfaqëson të gjithë aktivitetin e Booking.com në Shqipëri, por vetëm të ardhurat e realizuara nga 100 tatimpaguesit që administrata ka përzgjedhur për verifikim.
Platformat online do të raportojnë të ardhurat te Tatimet
Kontrolli vjen në një moment kur qeveria po përgatit një ndryshim më të gjerë në mënyrën e mbikëqyrjes së të ardhurave që krijohen përmes platformave online. Ministria e Financave ka hedhur në konsultim projektligjin “Për shkëmbimin automatik të informacionit nga operatorët e platformave digjitale”, që do t’i detyrojë operatorë si Booking, Airbnb apo Marketplace të mbledhin, verifikojnë dhe raportojnë pranë administratës tatimore informacionin për përdoruesit që realizojnë aktivitet ekonomik përmes tyre.
Drafti parashikon raportim jo vetëm për aktivitetin e qiradhënies së apartamenteve apo pronave të tjera, por edhe për shitjen e mallrave, ofrimin e shërbimeve personale dhe dhënien me qira të mjeteve të transportit. Detyrimi për raportim do të jetë i operatorit të platformës dhe jo i shitësit: platforma duhet të identifikojë personin ose biznesin dhe t’u përcjellë Tatimeve të dhënat ekonomike të aktivitetit.
Tatimet do të marrin të dhëna për të ardhurat dhe transaksionet
Për çdo përdorues të raportueshëm do të transmetohen, ndër të tjera, të ardhurat e paguara ose kredituara në çdo tremujor, numri i transaksioneve, tarifat dhe komisionet e mbajtura nga platforma dhe llogaria financiare ku kryhen pagesat. Në rastin e pronave me qira, informacioni do të zgjerohet edhe te adresa e pronës, numri kadastral kur është i disponueshëm, tipologjia e pasurisë dhe numri i ditëve të qirasë.
Kjo do t’i japë administratës tatimore një burim të drejtpërdrejtë informacioni për të krahasuar të ardhurat e realizuara në platformat online me ato që deklarohen për qëllime tatimore.
DAC7 pritet të japë efekt nga 1 janari 2029
Projektligji transpozon Direktivën DAC7 të Bashkimit Evropian dhe parashikon që sistemi të fillojë të japë efekt nga 1 janari 2029, me vitin 2029 si periudhën e parë të raportimit. Operatorët do të raportojnë çdo vit deri më 31 janar për vitin paraardhës.