Secondary Adv

Karakaçi: Autostrada Kashar–Rrogozhinë nis ndërtimin brenda këtij viti

ARRSH ka miratuar projektin e zbatimit për autostradën 33,5 km, duke i hapur rrugë shpronësimeve dhe punimeve.

Projekti i autostradës Kashar–Rrogozhinë pritet të hyjë në fazën e ndërtimit brenda këtij viti, ndërsa Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ka miratuar projektin e zbatimit, duke i hapur rrugë procesit të shpronësimeve.


Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, bëri të ditur se pas diskutimeve për mënyrën e lidhjes së aksit Kashar–Rrogozhinë me bypass-in e Tiranës, tashmë janë përmbyllur detajet e projektit dhe autostrada do të nisë ndërtimin brenda këtij viti.


“ARRSH ka miratuar projektin e zbatimit që ka ardhur në ministri ditën e sotme dhe do të nisë menjëherë procesin e shpronësimeve, duke i hapur rrugë nisjes së punimeve brenda këtij viti”, u shpreh Karakaçi në një videomesazh të publikuar në rrjetet sociale.


Autostradë 33,5 kilometra, pjesë e Korridorit Blu


“Kashar–Rrogozhinë është pjesë e Korridorit Blu dhe vazhdimi i aksit Thumanë–Kashar. Me një gjatësi prej 33,5 kilometrash, kjo do të jetë autostradë e kategorisë A dhe do të krijojë një lidhje të drejtpërdrejtë veri–jug, duke ndihmuar në lehtësimin e trafikut në një prej akseve më të ngarkuara të vendit, Tiranë–Durrës”, deklaroi ministri.


Karakaçi theksoi se projekti është pjesë e një pakete më të gjerë investimesh strategjike në infrastrukturën rrugore, që synon përmirësimin e lidhjeve kombëtare dhe integrimin e vendit me rrjetin europian të transportit.


Pjesë e paketës së investimeve strategjike rrugore


“Ky është një projekt i rëndësishëm që, së bashku me kantierët që kemi hapur, si Bypass-i i Tiranës, Bypass-i i Elbasanit, Elbasan–Rrogozhinë, Elbasan–Qafë Thanë dhe autostrada Milot–Balldren, do të kontribuojë në modernizimin e infrastrukturës rrugore të vendit dhe do ta çojë një hap më tej lidhjen e Shqipërisë me rrjetin europian të transportit”, theksoi Karakaçi.


Autostrada Kashar–Rrogozhinë konsiderohet një nga segmentet e rëndësishme të Korridorit Blu, duke synuar forcimin e lidhjes veri–jug dhe përmirësimin e aksesit të Shqipërisë në korridoret europiane të transportit.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat