ARRSH sqaron kufizimin për mjetet e rënda mbi Urën e Matit
Autoriteti Rrugor Shqiptar sqaron se kufizimi i qarkullimit për automjetet mbi 13 tonë në Urën e vjetër të Matit nuk lidhet me probleme të reja strukturore, por është një masë parandaluese për mbrojtjen e urës.
Sipas ARRSH-së, nuk bëhet fjalë për asnjë çedim, dëmtim apo problem të ri strukturor. Ura e vjetër e Matit, e cila së fundmi iu nënshtrua një ndërhyrjeje emergjente për përforcimin e themeleve, po përballon një fluks të konsiderueshëm qarkullimi, veçanërisht nga mjetet e tonazhit të rëndë që tejkalojnë kufirin e lejuar prej 13 tonësh.
“Kufizimi i vendosur është një masë e detyruar parandaluese, e ndërmarrë për të garantuar stabilitetin, sigurinë dhe qëndrueshmërinë e urës”, sqaron ARRSH.
Që prej hapjes, ura është pajisur me sinjalistikën përkatëse që lejon kalimin vetëm të mjeteve me tonazh deri në 13 tonë. Megjithatë, monitorimet në terren kanë treguar se ky kufizim nuk respektohet në mënyrë të përsëritur, duke krijuar ngarkesë të panevojshme dhe duke rrezikuar qëndrueshmërinë e strukturës në të ardhmen.
Vendosen barriera betoni në të dyja anët e urës
Për këtë arsye, ARRSH, në bashkëpunim me Policinë Rrugore, ka marrë masa shtesë për kontrollin e qarkullimit. Në të dyja anët e urës janë vendosur elemente betoni për të parandaluar kalimin e mjeteve të rënda që tejkalojnë kufirin e lejuar. Automjetet mbi 13 tonë duhet të përdorin detyrimisht rrugën alternative.
ARRSH rithekson se masa nuk lidhet me ndonjë çedim apo dëmtim të urës, por synon të mbrojë ndërhyrjen e kryer në themelet e saj dhe të garantojë stabilitetin dhe qëndrueshmërinë afatgjatë të strukturës.
Autoriteti u ka bërë thirrje drejtuesve të mjeteve të respektojnë sinjalistikën dhe kufizimin e vendosur, ndërsa kërkon që të shmangen spekulimet mbi gjendjen teknike të urës që mund të krijojnë shqetësim te qytetarët.