Reforma territoriale me 46 bashki, harta është gati por konsultimi me banorët ende në proces
Projektligji për reformën e re administrativo-territoriale ka përcaktuar hartën me 46 bashki dhe 12 qarqe, por një nga kriteret për ndryshimin e kufijve vendorë, marrja e mendimit të popullsisë së njësive të prekura, rezulton ende i papërfunduar.
Sipas relacionit që shoqëron projektligjin, reforma parashikon konsolidimin e 28 bashkive ekzistuese në 13 bashki, duke e reduktuar numrin e përgjithshëm të njësive vendore nga 61 në 46. Megjithatë, në të 13 dosjet e konsolidimeve, kriteri “Mendimi i popullatës” figuron me statusin “Në proces – plotësohet para miratimit”. Kjo do të thotë se bashkitë që do të bashkohen, qendrat dhe organizimi territorial janë përcaktuar në projektligj, ndërsa konsultimi i posaçëm me banorët duhet ende të përfundojë.
Kjo situatë konstatohet, ndër të tjera, te bashkimi Divjakë–Lushnjë, Maliq–Korçë dhe konsolidimi Cërrik–Belsh–Elbasan. Relacioni bën një ndarje mes konsultimeve të zhvilluara deri tani dhe procesit të posaçëm që duhet të realizohet për bashkitë ku ndryshojnë kufijtë.
Mbi 3,500 pjesëmarrës në dëgjesat e para
Faza e parë ka përfshirë 11 dëgjesa publike rajonale gjatë periudhës prill–qershor 2026, me pjesëmarrjen e mbi 3,500 qytetarëve dhe përfaqësuesve. Këto dëgjesa kanë pasur karakter diagnostik, duke evidentuar problematikat dhe prioritetet e pushtetit vendor.
Për çdo njësi që do të riorganizohet kërkohet edhe një proces i dytë. Përpara miratimit të ligjit duhet të zhvillohen dëgjesa publike në çdo njësi të prekur, pyetësorë të dokumentuar dhe shqyrtim nga këshillat bashkiakë përkatës. Rezultatet e konsultimeve duhet gjithashtu të dokumentohen publikisht.
Mendimi i banorëve është detyrim kushtetues
Kushtetuta e lidh ndryshimin e kufijve vendorë me marrjen paraprake të mendimit të popullsisë. Relacioni i referohet edhe vendimit nr. 19/2015 të Gjykatës Kushtetuese, sipas të cilit marrja e këtij mendimi përbën detyrim kushtetues, por nuk nënkupton domosdoshmërisht pëlqimin e banorëve dhe as zhvillimin e një referendumi. Procesi duhet të jetë paraprak, real dhe i dokumentuar.
Rezultatet e konsultimeve të posaçme duhet të përfshihen në secilën prej 13 dosjeve përpara shqyrtimit përfundimtar të projektligjit në seancë plenare. Pas regjistrimit të nismës në Kuvend, projektligji u dërgohet për mendim edhe këshillave bashkiakë dhe të qarqeve, kryetarëve të njësive të prekura dhe institucioneve të tjera, ndërsa mendimi i popullsisë i përcillet Kuvendit nëpërmjet organeve vendore.
Në këtë fazë, harta e propozuar e reformës është e detajuar, por një pjesë e dokumentacionit ligjor që duhet ta shoqërojë mbetet për t'u plotësuar. Një nga çështjet kryesore do të jetë pesha që do të kenë konsultimet në rastet kur mendimi i komuniteteve nuk përputhet me bashkimet e propozuara, pasi kërkohet marrja e mendimit të banorëve, por jo domosdoshmërisht miratimi i reformës prej tyre.