Standardet e reja TEN-T, rrugët kryesore pa kryqëzime në nivel deri në 2030
Rrugët shqiptare që janë pjesë e rrjetit kryesor trans-evropian të transportit do të duhet të përmbushin standarde të reja infrastrukturore deri në fund të vitit 2030, duke përfshirë karrexhata të ndara dhe eliminimin e kryqëzimeve në nivel.
Kërkesat përcaktohen në rregulloren e re “Për udhëzimet e Bashkimit Evropian për zhvillimin e rrjetit trans-evropian të transportit”, të miratuar me urdhrin nr. 152 të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe të botuar më 27 gusht në Fletoren Zyrtare. Sipas dokumentit, infrastruktura rrugore e rrjetit kryesor duhet t'i plotësojë standardet deri më 31 dhjetor 2030, ndërsa për rrjetin kryesor të zgjeruar afati është 31 dhjetor 2040.
Rrugët duhet të jenë të projektuara, ndërtuara ose përmirësuara posaçërisht për trafikun e mjeteve motorike. Përveç rasteve të veçanta ose të përkohshme, ato duhet të kenë karrexhata të ndara për dy drejtimet e trafikut, me brez ndarës ose një zgjidhje tjetër që garanton nivel të barabartë sigurie.
Eliminohen kryqëzimet në nivel
Rregullorja kërkon që rrugët e këtij rrjeti të mos kryqëzohen në nivel me rrugë të tjera, linja hekurudhore ose tramvaji, shtigje biçikletash apo shtigje këmbësorësh. Në praktikë, përmbushja e këtij standardi nënkupton përdorimin e nyjeve në disnivel, mbikalimeve ose nënkalimeve në akset përkatëse.
Deri më 31 dhjetor 2040, përgjatë rrugëve të rrjetit kryesor dhe atij kryesor të zgjeruar duhet të krijohen edhe zona pushimi me një distancë maksimale prej 60 kilometrash nga njëra-tjetra. Ato duhet të ofrojnë parkim të mjaftueshëm dhe të sigurt, si dhe ambiente të përshtatshme, përfshirë shërbimet sanitare.
Parkime të sigurta për automjetet tregtare
Parashikohet gjithashtu zhvillimi i zonave të sigurta dhe të mbrojtura të parkimit për automjetet tregtare. Këto duhet të ndodhen përgjatë rrjetit TEN-T ose jo më larg se 3 kilometra nga dalja më e afërt, ndërsa distanca mesatare maksimale ndërmjet dy zonave të tilla duhet të jetë 150 kilometra.
Rregullorja lejon përjashtime në raste të justifikuara, përfshirë akset me dendësi trafiku jo më të lartë se 10 mijë mjete në ditë në të dy drejtimet, kufizime të rëndësishme gjeografike ose fizike, rezultate negative të analizës kosto-përfitim apo ndikime të konsiderueshme në mjedis dhe biodiversitet.