Secondary Adv

Gati skema e sigurimeve në bujqësi, shteti do të mbulojë një pjesë të kostos për fermerët

Fermerët pritet të kenë së shpejti një skemë sigurimesh për mbrojtjen nga dëmet e shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore, ndërsa shteti do të mbulojë një pjesë të primit të sigurimit për të ulur kostot.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, bëri të ditur se puna për ngritjen e skemës është drejt përfundimit dhe se ajo do të krijojë një mekanizëm të ri mbështetjeje për prodhuesit bujqësorë. Nisma vjen pas shqetësimeve të ngritura nga fermerët në të gjithë vendin për dëmet e shkaktuara nga ngricat, breshëri, përmbytjet dhe zjarret.


“Për të gjithë ju fermerë me të cilët jam takuar në të gjithë vendin dhe që më keni ngritur shqetësimet tuaja për dëmet e shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore, sot kam një lajm të mirë. Jemi në përmbyllje të ndërtimit të një skeme të sigurimeve në bujqësi, e cila do të krijojë një mekanizëm të ri mbështetjeje dhe mbrojtjeje për fermerët shqiptarë”, u shpreh Salla.


Shteti do të mbulojë një pjesë të primit të sigurimit

Skema do të jetë e aksesueshme si për fermat e vogla, ashtu edhe për ato të mëdha, me synimin për t'u dhënë fermerëve më shumë siguri përballë dëmeve që fenomenet natyrore mund të shkaktojnë në prodhim dhe të ardhura. Një nga elementët kryesorë do të jetë mbështetja nga Buxheti i Shtetit për një pjesë të primit të sigurimit, duke ulur kostot për fermerët dhe duke e bërë skemën më të përballueshme.


“Fermeri nuk duhet të mbetet vetëm përballë një stuhie, një ngrice apo një zjarri që mund të dëmtojë punën e një viti të tërë”, deklaroi ministri.


Sipas Sallës, përmes sigurimeve në bujqësi synohet të krijohet më shumë mbrojtje, siguri dhe qëndrueshmëri për fermerët, duke e bërë sektorin bujqësor më të përgatitur për përballimin e fatkeqësive natyrore.

Burimi: Shqiptarja


Më të lexuarat