Secondary Adv

Besimi te leku rritet, depozitat në lekë zgjerohen dy herë më shumë se ato në euro

Depozitat në lekë shënuan një rritje të fortë gjatë korrikut, duke u zgjeruar me rreth 16 miliardë lekë, ose afërsisht 170 milionë euro, gati dy herë më shumë se shtesa prej 87 milionë eurosh e depozitave në monedhën e përbashkët.

Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, rritja e depozitave në monedhën vendase është nxitur si nga bizneset, ashtu edhe nga individët. Në fund të korrikut, stoku i depozitave në lekë arriti nivelin rekord prej 782 miliardë lekësh, me një zgjerim prej 16 miliardë lekësh, ose 2.1 për qind, krahasuar me qershorin.


Zgjerimi ka ardhur kryesisht nga depozitat pa afat të bizneseve dhe individëve. Krahasuar me korrikun 2025, depozitat në monedhën vendase janë rritur me 116 miliardë lekë, ose rreth 1.2 miliardë euro të konvertuara me kursin mesatar të periudhës.


Forcimi i vazhdueshëm i monedhës vendase duket se ka ndikuar në rritjen e besimit te leku dhe në mbajtjen e një pjese më të madhe të kursimeve në këtë monedhë. Leku është forcuar ndjeshëm ndaj euros, e cila aktualisht këmbehet pranë nivelit të 92 lekëve, nga rreth 140 lekë një dekadë më parë.


Depozitat në euro rriten më ngadalë

Në korrik, stoku i depozitave i raportuar në euro arriti në 9.3 miliardë euro, me një rritje prej 87 milionë eurosh, ose 0.94 për qind, krahasuar me qershorin 2026. Rritja erdhi kryesisht nga kursimet pa afat të individëve dhe, në një masë më të vogël, nga bizneset.


Krahasuar me një vit më parë, depozitat në euro janë shtuar me 1.04 miliardë euro, por me ritme më të ngadalta se kursimet në lekë. Ky është viti i dytë radhazi që depozitat në monedhën vendase po rriten më shpejt se ato në euro. Për krahasim, gjatë vitit 2024 depozitat në euro u zgjeruan me 635 milionë euro, ndërsa ato në lekë me 49 miliardë lekë.


Sipas Bankës së Shqipërisë, stoku i përgjithshëm i depozitave i konvertuar në monedhën vendase arriti në rreth 1.56 trilionë lekë, nga të cilat 782 miliardë lekë ishin depozita në monedhën vendase dhe rreth 781 miliardë lekë depozita në euro të konvertuara në lekë. Vlera e këtyre të fundit ndikohet edhe nga zhvlerësimi i euros në kursin e këmbimit.


Burimi: Monitor


Më të lexuarat