Kreditimi i ekonomisë rritet për të gjashtin vit radhazi, portofoli kalon 1 trilion lekë
Kredia për ekonominë po vijon ciklin rritës për të gjashtin vit radhazi, ndërsa në fund të korrikut portofoli total i huasë kaloi për herë të parë nivelin e 1 trilion lekëve.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, kredia e re e dhënë gjatë korrikut arriti në 38.2 miliardë lekë, me një rritje prej 32 për qind krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Për periudhën janar-korrik 2026 janë dhënë gjithsej 261.1 miliardë lekë kredi të reja, 12.6 për qind më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Rritja e kreditimit këtë vit paraqitet relativisht e balancuar mes bizneseve dhe individëve. Kredia për bizneset në korrik arriti në 19.1 miliardë lekë, 26.7 për qind më shumë se një vit më parë. Në shtatë muajt e parë të vitit, kompanitë private përfituan gjithsej 172.9 miliardë lekë kredi, me një rritje prej 14.3 për qind.
Pas ritmeve më të ngadalta gjatë vitit të kaluar, në 2026 kreditimi i bizneseve është përshpejtuar si në lekë, ashtu edhe në euro. Megjithatë, për të dytin vit radhazi, huadhënia në monedhën vendase kryeson portofolin e kredisë së re edhe për bizneset.
Kredia për individët rritet me 41.8 për qind në korrik
Kredia e re për individët arriti në 13.9 miliardë lekë gjatë korrikut, me një rritje prej 41.8 për qind krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Për periudhën janar-korrik, huadhënia e re për individët arriti në 87.3 miliardë lekë, 13.4 për qind më shumë se një vit më parë.
Huadhënia për individët po dominohet gjithnjë e më shumë nga monedha vendase. Gjatë shtatë muajve të parë të vitit, kreditë në lekë përbënin pothuajse 87 për qind të të gjitha disbursimeve, ndërsa kredia në euro vijoi rënien. Kreditimi po zgjerohet si për blerjen e pasurive të paluajtshme, ashtu edhe për financimin e konsumit.
Portofoli i kredisë kalon 1 trilion lekë
Në fund të korrikut, portofoli total i kredisë për ekonominë, i shprehur si tepricë, kaloi për herë të parë nivelin e 1 trilion lekëve, duke u rritur me 12 për qind krahasuar me një vit më parë.
Rritja më e lartë u regjistrua te individët, ku portofoli arriti në 423 miliardë lekë, 17.3 për qind më shumë në terma vjetorë. Te bizneset, portofoli i kredisë arriti në 541.3 miliardë lekë, me një rritje prej 10.4 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.