Secondary Adv

Ethet e Nilit përhapen me shpejtësi: 6 viktima në Maqedoninë e Veriut, rriten rastet në Europë

Ethet e Nilit Perëndimor po përhapen me shpejtësi në Maqedoninë e Veriut dhe në vende të tjera të Evropës.

Deri më tani, autoritetet shëndetësore maqedonase kanë regjistruar 53 raste, ndërsa numri i viktimave ka arritur në gjashtë.


Nga 53 rastet e raportuara në Maqedoninë e Veriut, 50 janë konfirmuar në laborator dhe tre janë të dyshuara. Viktima e gjashtë është një 72-vjeçar nga Shkupi, i cili ndërroi jetë pas 15 ditësh qëndrimi në spital, me pasqyrë të rëndë klinike dhe sëmundje të rënda shoqëruese.


Drejtori i Klinikës së Sëmundjeve Infektive, Fadil Cana, bëri të ditur se nga 51 pacientë të shtruar deri më tani, 27 janë shëruar dhe kanë dalë nga spitali. Aktualisht po trajtohen 18 pacientë, nga të cilët 15 kanë shfaqur formën neuroinvazive të infeksionit, ndërsa pesë ndodhen në terapi intensive për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore.


Virusi konfirmohet edhe te shpendët

Prania e virusit është konfirmuar edhe te një korb i ngordhur, i gjetur në një park në Resnjë. Ky është rasti i dytë i regjistruar te shpendët në Maqedoninë e Veriut, pas një rasti të konfirmuar më herët në Shkup. Zbulimi i virusit te shpendët është i rëndësishëm për monitorimin e vatrave infektive, pasi ata janë bartës natyrorë që infektojnë mushkonjat, të cilat më pas mund ta transmetojnë virusin te njerëzit.


Rriten ndjeshëm rastet në Evropë

Situata epidemiologjike është përkeqësuar edhe në disa vende të tjera evropiane. Sipas të dhënave të fundit kombëtare, Italia ka regjistruar 432 raste të konfirmuara dhe 17 viktima, ndërsa në Greqi numri i infeksioneve ka arritur në 232, me 19 viktima.


Raporti javor i Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC), me të dhëna deri më 21 gusht, pasqyronte 37 raste në Maqedoninë e Veriut dhe 625 raste në total në 12 vende evropiane. Megjithatë, raportimet më të fundit kombëtare tregojnë se numri i rasteve është rritur me ritme të shpejta gjatë ditëve të fundit.


Burimi: Ballkan Web


Më të lexuarat