Secondary Adv

Lejet e ndërtimit rriten me 30.7 për qind, INSTAT: Jo të gjitha bashkitë kanë raportuar

Numri i lejeve të ndërtimit shënoi rritje të fortë në tremujorin e dytë 2026, por INSTAT paralajmëron se të dhënat janë paraprake, pasi jo të gjitha bashkitë kanë raportuar informacionin për këtë periudhë.

Sipas INSTAT, gjatë periudhës prill-qershor 2026 janë miratuar 460 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, nga 352 në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, me një rritje prej 30.7 për qind. Edhe sipërfaqja e parashikuar për ndërtimet e reja u zgjerua në 307,127 metra katrorë, nga 278,389 metra katrorë një vit më parë, ose 10.3 për qind më shumë.


Në të kundërt, vlera e përafërt e projekteve të miratuara, ku përfshihen ndërtesat dhe punimet inxhinierike, ra në rreth 16 miliardë lekë, nga 18.4 miliardë lekë në tremujorin e dytë 2025, duke shënuar një rënie prej 13.2 për qind.


Banesat dominojnë lejet e reja

Pjesa më e madhe e lejeve të miratuara lidhet me ndërtimet për banim. INSTAT raporton 331 leje për ndërtesa rezidente, me një sipërfaqe të përgjithshme prej 183,202 metrash katrorë. Prej tyre, 132 leje janë për ndërtesa njëkatëshe, 146 për ndërtesa dykatëshe dhe 52 për ndërtesa me tre ose më shumë kate. Kategoria e fundit përqendron pjesën më të madhe të sipërfaqes së ndërtimit, me 139,248 metra katrorë.


Për ndërtesat jo-rezidente janë miratuar 129 leje, me një sipërfaqe totale prej 123,925 metrash katrorë. Këtu përfshihen 12 leje për hotele dhe struktura të ngjashme, 4 për zyra, 15 për ndërtesa tregtare, 39 për ndërtesa industriale dhe 59 për ndërtesa të tjera.


INSTAT: Të dhënat janë paraprake

Shifrat nuk japin ende një panoramë përfundimtare të aktivitetit të ndërtimit. INSTAT specifikon se “Statistikat e lejeve të ndërtimit për tremujorin e dytë 2026 janë paraprake, për shkak të mos raportimit të të dhënave nga të gjithë bashkitë.” Për këtë arsye, edhe rritja prej 30.7 për qind duhet interpretuar me rezervë, pasi të dhënat mund të ndryshojnë pas plotësimit të raportimit.


INSTAT sqaron gjithashtu se statistikat aktualisht mbështeten vetëm në informacionin e siguruar nga bashkitë, ndërkohë që kuadri ligjor parashikon përfshirjen edhe të institucioneve të tjera në procesin e miratimit të lejeve. Për këto ente ende nuk ekziston një raportim i plotë dhe i standardizuar pranë institutit.


Për rrjedhojë, të dhënat sinjalizojnë vijimin e aktivitetit të lartë në sektorin e ndërtimit, por panorama statistikore për tremujorin e dytë mbetet e paplotë deri në përditësimin përfundimtar të shifrave.

Burimi: Ekofin


Më të lexuarat