KPP rrëzon ankesën, zhbllokohet kontrata 1 mln euro për mirëmbajtjen e sistemit financiar
KPP rrëzoi kërkesën për anulimin e kontratës 24-mujore për mirëmbajtjen e sistemit financiar të Ministrisë së Financave, me vlerë 99.9 milionë lekë.
Me Vendimin nr. 1056/2026, të datës 26 gusht, KPP nuk pranoi ankesën e “Data Log” dhe lejoi Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit të vijojë me hapat e mëtejshëm të procedurës.
Kontrata është lidhur mes AKSHI-t dhe “Communication Progress” për 99.9 milionë lekë pa TVSH dhe ka një kohëzgjatje prej 24 muajsh. Fondi limit i tenderit ishte më i lartë, në 169.46 milionë lekë, ose rreth 1.73 milionë euro pa TVSH.
KPP kishte pezulluar përkohësisht zbatimin e kontratës më 7 gusht, pas ankesës së “Data Log”, deri në shqyrtimin e çështjes dhe marrjen e një vendimi përfundimtar. Me vendimin e fundit, autoriteti kontraktor lejohet të vijojë procedurën.
“Data Log” kishte kërkuar shpalljen absolutisht të pavlefshme të kontratës, duke ngritur pretendime për mënyrën se si ishte zhvilluar procedura, për përmbushjen e disa kërkesave teknike nga operatori fitues dhe për mungesën e publikimit të njoftimit të lidhjes së kontratës.
KPP pranoi se njoftimi për lidhjen e kontratës nuk ishte publikuar dhe e cilësoi këtë si shkelje të rregullave të transparencës. Megjithatë, Komisioni arriti në përfundimin se kjo shkelje, në rastin konkret, nuk mjaftonte për ta bërë kontratën absolutisht të pavlefshme.
Sipas KPP-së, “Data Log” nuk ishte privuar nga e drejta për t’u ankuar, pasi kishte ndjekur më herët si rrugën administrative, ashtu edhe atë gjyqësore. Komisioni vlerësoi se pretendimet e ngritura nuk plotësonin rastet e përcaktuara në ligj që do të çonin në pavlefshmërinë absolute të kontratës.
Çështja ka kaluar më parë edhe në Gjykatën Administrative të Apelit, e cila në prill pranoi pjesërisht padinë e “Data Log” dhe shfuqizoi pjesërisht një vendim të mëparshëm të KPP-së, ndërsa rrëzoi kërkimet e tjera.
Tenderi u publikua në korrik 2025 dhe u shoqërua me një seri ankimimesh administrative, të cilat çuan në disa vendime të KPP-së dhe ndryshime në dokumentet e procedurës.