Secondary Adv

Shqipëria ndërton 2.5 herë më shumë se mesatarja e BE

Shqipëria vijoi edhe në vitin 2025 të kishte peshën më të lartë të ndërtimit në ekonomi në Europë.

Sektori përbënte 12.6 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, rreth 2.5 herë më shumë se mesatarja prej 5 për qind e Bashkimit Europian.


Sipas të dhënave të Eurostat, asnjë nga vendet e përfshira në statistika nuk i afrohet nivelit të Shqipërisë. Pas saj renditet Rumania me 8.6 për qind të PBB-së dhe Kosova me 7.8 për qind. Diferenca është e dukshme edhe me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor: Maqedonia e Veriut kishte një peshë prej 6.6 për qind, Bosnjë-Hercegovina 4.8 për qind, Serbia 4.6 për qind dhe Mali i Zi vetëm 3.8 për qind.


Kështu, pesha e ndërtimit në ekonominë shqiptare është rreth 1.6 herë më e lartë se në Kosovë, pothuajse dy herë më e lartë se në Maqedoninë e Veriut, rreth 2.7 herë ajo e Serbisë dhe më shumë se tre herë niveli i Malit të Zi. Edhe Kroacia, e cila ka përjetuar një cikël të fortë investimesh në ndërtime dhe turizëm, ishte në nivelin 6.6 për qind.


Shqipëria tejkalon ndjeshëm edhe vendet e BE-së

Mes vendeve të Bashkimit Europian, Rumania kishte peshën më të lartë të ndërtimit në ekonomi në vitin 2025, me 8.6 për qind të PBB-së, e ndjekur nga Sllovakia me 7.7 për qind, Lituania me 6.7 për qind, Kroacia me 6.6 për qind dhe Polonia e Sllovenia me nga 6.2 për qind.


Në ekonomitë më të mëdha të BE-së, ndërtimi zë një pjesë dukshëm më të vogël të aktivitetit ekonomik. Në Itali sektori përbënte 5.1 për qind të PBB-së, në Francë 5 për qind dhe në Gjermani 4.5 për qind. Në fund të renditjes ishte Greqia me vetëm 2.1 për qind, e ndjekur nga Irlanda me 2.6 për qind dhe Malta me 3.4 për qind.


Edhe jashtë BE-së, vendet europiane me aktivitet relativisht të lartë në ndërtim mbeten poshtë Shqipërisë. Në Islandë sektori zinte 7.4 për qind të PBB-së, në Moldavi 7.2 për qind, në Turqi 5.9 për qind, në Norvegji 4.7 për qind dhe në Zvicër 4.5 për qind.


Ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme mbështetën rritjen ekonomike

Pesha e lartë e ndërtimit është bërë një nga tiparet kryesore të strukturës së ekonomisë shqiptare. Sipas të dhënave të INSTAT të përpunuara nga “Monitor”, gjatë vitit 2025 ndërtimi dha 0.54 pikë përqindje në rritjen ekonomike, ndërsa aktivitetet e pasurive të paluajtshme kontribuuan me 0.45 pikë përqindje. Së bashku, të dy sektorët siguruan pothuajse 1 pikë përqindje nga rritja totale prej rreth 3.9 për qind.


Investimet rezidenciale, projektet e mëdha infrastrukturore dhe zgjerimi i ndërtimeve turistike, veçanërisht në zonat bregdetare, kanë mbajtur të lartë aktivitetin e sektorit. Megjithatë, pesha e ndërtimit në punësim mbetet dukshëm më e ulët se kontributi i tij në ekonomi. Sipas Anketës Strukturore të Ndërmarrjeve për vitin 2024, sektori siguronte vetëm 7.4 për qind të punësimit, ose rreth 77 mijë persona, ndërsa aktivitetet e pasurive të paluajtshme kishin jo më shumë se 5 mijë të punësuar.


Bujqësia dhe industria në rënie

Në kontrast me ndërtimin, bujqësia dhe industria, dy sektorë me peshë të rëndësishme në punësim, dhanë kontribut negativ. Sipas INSTAT, bujqësia u tkurr me 2 për qind në vitin 2025, duke shënuar vitin e pestë radhazi në rënie, ndërsa industria u tkurr me 1.6 për qind për të dytin vit radhazi. Manifaktura është në rënie prej tre vitesh radhazi.


Nga rreth 1.04 milionë të punësuar në vend, 33.8 për qind ose rreth 352 mijë persona janë në bujqësi, kryesisht të raportuar si të vetëpunësuar. Industria punëson rreth 124 mijë persona, ose 12 për qind të totalit. Së bashku, këta dy sektorë përfaqësojnë rreth 475 mijë të punësuar, ose 45 për qind të punësimit në vend.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat